Bruksel, 20 maj 2026, Zhurnal.mk – Komisioni i BE-së tha sot se po jep gjithsej 158,9 milionë euro shtesë për tre vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, nga fondi i ri – Plani i Rritjes – për rajonin, raporton dtt-net.com, transmeton Zhurnal.mk.
Komisioni Evropian (KE) njoftoi se nga kjo shumë, 49 milionë euro po i jepen Shqipërisë, 44,2 milionë euro Malit të Zi dhe 65,7 milionë euro Maqedonisë së Veriut.
“Kjo vjen pas kërkesës së tretë për pagesë dhe vlerësimit pozitiv të Komisionit për hapat e reformave të zbatuara në fushat e konkurrueshmërisë së biznesit dhe inovacionit në Shqipëri dhe Mal të Zi, si dhe arsimit dhe dixhitalizimit në Maqedoninë e Veriut”, tha KE në një njoftim për shtyp.
KE shpjegoi se me njoftimin e sotëm, shuma totale e dhënë në kuadër të Programit të Rritjes nën zarfet e tyre përkatëse arrin në 212,8 milionë euro për Shqipërinë, 89,3 milionë euro për Malin e Zi dhe 142,1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut.
«Në Shqipëri, reformat e vlerësuara nga Komisioni përfshijnë masa për të përmirësuar mjedisin e biznesit, për të lehtësuar investimet dhe inovacionin, dhe për të zgjeruar aksesin në financa, duke përfshirë edhe për startup-et dhe kompanitë aktive në sektorët e gjelbër dhe dixhital. Nga 49 milionë euro të disbursuara, 22.8 milionë euro do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa fondet e mbetura vihen në dispozicion për projekte investimi përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), në varësi të procedurave përkatëse të miratimit», shpjegoi trupi ekzekutiv i bllokut evropian.
«Në Mal të Zi, Komisioni vlerësoi reformat në fushën e kërkimit dhe inovacionit, duke përfshirë mbështetjen për shkencëtarët, bizneset dhe institucionet kërkimore, si dhe forcimin e mëtejshëm të ekosistemit kombëtar të inovacionit. Nga 44.2 milionë euro të disbursuara, 20.6 milionë euro do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa fondet e mbetura vihen në dispozicion për projekte investimi përmes WBIF», tha për Malin e Zi.
«Në Maqedoninë e Veriut, reformat e vlerësuara përfshijnë masa për të përmirësuar financimin e arsimit fillor dhe të mesëm dhe masa me qëllim zgjerimin e aksesit në infrastrukturën dixhitale dhe pajisjet e IT-së në shkolla. Nga 65.7 milionë euro të disbursuara, 30.6 milionë euro do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa fondet e mbetura do të vihen në dispozicion për projekte investimi përmes WBIF-it,” tha KE për vendin e tretë.
Në listën e sotme të shumave të reja të lëvrimit, mungojnë Bosnja dhe Hercegovina (BiH), Kosova dhe Serbia, për shka të kushteve ende të papërmbushura me reformat e ndërlidhura në të tre këto vende.
Sa i përket Serbis, KE momentalisht nuk po dërgon para shtesë në Serbi për shkak të ligjeve kontroverse në gjyqësor të miratuara nga parlamenti i kontrolluar nga partia SNS e Kryetarit autoritati Aleksandar Vuçiç në fund të janarit.
Nga 6 miliardë euro të fondit për periudhën 2024-2027 që janë në formë kredie e dhurate, BE ka caktuar 922 milionë euro për Shqipërinë; 1.085 miliardë për Bosnjën dhe Hercegovinën (BiH), 882 milionë për Kosovën; 383.5 milionë për Malin e Zi; 750.4 milionë për Maqedoninë e Veriut dhe 1 586.4 miliardë për Serbinë.
Plani i Rritjes synon të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe të hapë rrugën drejt anëtarësimit në BE, sipas KE-së. / Zhurnal.mk
