Interpelanca me Ramën, Shehaj debat me ministren Ismaili

Nga D. V.
282 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 maj, Zhurnal.mk – Deputeti Agron Shehaj tha sot në Kuvend se kryeministrin Edi Rama po shmang përgjegjësitë duke mos marrë pjesë në interpelancën e kërkuar prej tij.

Gjatë fjalës së tij, Shehaj deklaroi se ishte e papranueshme që Kryeministri të delegonte interpelancën tek ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ndërsa theksoi se përgjigjet për linjën ajrore Air Albania duhet të jepen personalisht nga kryeministri Edi Rama.

“Është e papranueshme që kërkojmë interpelancë me Kryeministrin e Shqipërisë dhe ai zhduket, duke mos pranuar të mbajë përgjegjësi. Kisha kërkuar një interpelancë në lidhje me Air Albania-n, por Kryeministri u shmang dhe delegoi ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin. Ismailit nuk kam si t’i kërkoj llogari për Air Albania”, u shpreh Shehaj.

“Flasim për një kompani ajrore shtetërore që praktikisht nuk ka treguar asnjë transparencë. Besoj se është e vetmja kompani shtetërore në Shqipëri që nuk dorëzonte as bilancet financiare dhe që tashmë ka falimentuar. Çfarë kuptimi ka të delegosh interpelancën, kur rregullorja e parashikon qartë që Kryeministri duhet të vijë këtu dhe të japë llogari? Kërkesa ime është që Kryeministri të vijë dhe t’u përgjigjet personalisht kërkesave për interpelancë”, tha Shehaj.

Nga ana tjetër, ministrja e Shtetit për Parlamentin, Erjona Ismaili tha se në rendin e ditës nuk ishte Air Albania, por DSHQ-ja.

“Ju nuk ishit në sallë kur erdhi momenti dhe u tha nga kryetari i Kuvendit për zhvillimin e interpelancës. Fakti që nuk ishit në sallë nuk është faji ynë. Në rendin e ditës nuk ishte Air Albania; çështja që do të trajtohej ishte DSHQ-ja. Gjithashtu, se çfarë di apo nuk di unë, nuk jeni ju ai që e përcaktoni apo e gjykoni”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër