Tiranë, 22 maj, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim me ministrin e Brendshëm të Austrisë, Gerhard Karner, në kuadër të pjesëmarrjes në “Europa Forum Wachau”.
Gjatë takimit, dy ministrat diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Austrisë në fushën e sigurisë, menaxhimit të kufijve, luftës kundër krimit të organizuar dhe koordinimit përballë sfidave të përbashkëta europiane.
Në një reagim në rrjetet sociale, Lamallari vlerësoi partneritetin me Austrinë si të rëndësishëm për rrugën europiane të Shqipërisë dhe për garantimin e më shumë sigurie për qytetarët.
“Partneriteti me Austrinë mbetet i rëndësishëm në rrugën tonë drejt integrimit europian dhe në garantimin e më shumë sigurie për qytetarët tanë”, u shpreh ministri i Brendshëm.
Lamallari theksoi gjithashtu se Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët austriakë dhe për sipërmarrësit që kanë zgjedhur të investojnë në vendin tonë, duke nënvizuar rritjen e marrëdhënieve ekonomike dhe njerëzore mes dy vendeve.
