Tiranë, 22 maj, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot një takim me Margus Tsahkna, ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, në margjinat e takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Helsingborg, Suedi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha theksoi se në “vijim të vizitës së fundit të kryeministrit Edi Rama në Talin, patëm një shkëmbim të shkëlqyer mendimesh mbi rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, marrëdhëniet shumë të forta dypalëshe dhe dëshirën tonë të përbashkët për të zgjeruar më tej bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët”.
Në veçanti, nënvizoi më tej ministri, diskutuan përvojën e jashtëzakonshme të Estonisë në digjitalizim, inovacion dhe transformimin e shërbimeve publike dhe qeverisjes së përditshme, fusha ku Shqipëria është e prirur të thellojë bashkëpunimin dhe të përfitojë nga ekspertiza e Estonisë për të forcuar më tej efikasitetin, transparencën dhe administratën publike të orientuar drejt qytetarëve.
“Gjithashtu shkëmbyem mendime mbi situatën e sigurisë në rajon dhe mbi përpjekjet tona të përbashkëta, duke përfshirë edhe si aleatë të NATO-s, për të forcuar më tej qëndrueshmërinë dhe koordinimin kolektiv në adresimin e sfidave të përbashkëta, përfshirë ato në hapësirën kibernetike, përmes Qendrës së Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s (NATO CCDCOE), së cilës Shqipëria iu bashkua së fundmi”, shkruan ministri.
Takimi jozyrtar i ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, përfaqëson një moment të rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për Samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet në Ankara, më 7–8 korrik 2026.
