Tiranë, 27 tetor Zhurnal.mk – Në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1, analisti Lorenc Vangjeli theksoi se zgjedhjet në Serbi janë ndjekur në Tiranë me një vëmendje si rrallëherë më parë në rajon.
Sipas tij, ato përbëjnë një shembull që mund të shërbejë si standard sjelljeje edhe për Shqipërinë.
“Nuk ka pasur ndonjëherë zgjedhje në fqinjët tanë, me përjashtim të Kosovës, që Tirana në të gjitha dimensionet e saj të ketë ndjekur me aq vëmendje, me aq kërshëri dhe me një bindje të thellë të fshehur nën nënshtresë për t’u parë si një model,” deklaroi Vangjeli.
Ai e lidhi këtë interes me dy elemente kryesore: “magjinë e sistemit demokratik dhe të votës, edhe kur demokracia është e papërsosur, si dhe “fatin gjeografik” të Serbisë, e cila “ka fjetur në shtratin e Perëndimit, por ndërkohë vazhdonte të ishte e dashura e Lindjes.”
Vangjeli vuri në dukje se Serbia është shembulli i dytë në Evropë pas Hungarisë që mund të japë një standard sjelljeje për shumëçka edhe në Tiranë.
Ai theksoi rëndësinë e ndryshimit të këndvështrimit shqiptar ndaj fqinjësisë dhe shprehu se “Serbia e mirë” do të ishte Serbia demokratike – themeli për të rishikuar dallgën e urrejtjes që ka shoqëruar marrëdhëniet për qindra vjet.
“Leksioni që vjen nga Beogradi është që një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare, e përfaqësuar kryesisht në opozitë, e lexon… i lexon zgjedhjet në Serbi si një ftesë për një tortë të pushtetit të nesërm, një lloj si ushqim me atë çfarë ndodhi në Hungari muaj më parë. Ndërkohë që pjesa tjetër, zoti Rama dhe të tijët në mazhorancë ende, e shikojnë modelin serb prapë si diçka që nuk ngjan me Shqipërinë dhe natyrisht kanë diferenca të theksuara”, u shpreh Vangjeli.
Sipas analistit, një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare, e përfaqësuar kryesisht në opozitë, i lexon zgjedhjet serbe si “një ftesë për një tortë të pushtetit të nesërm,” të ngjashme me atë që ndodhi në Hungari.
Vangjeli theksoi se politika zyrtare në Shqipëri dhe Kosovë duhet të mbajë shënim, “pa hile, pa pasion, po me kthjellësi,” se çfarë ndodhi realisht në Beograd.
“Përtej medias që flet, politika zyrtare në Shqipëri natyrisht dhe në Kosovë do të duhet të mbante shënim – shënim po pa hile, pa hile, pa pasion, po me kthjellësi – për të parë çfarë ndodhi realisht në Beograd. Kam përshtypjen se këtë gjë po tenton ta bëjë zoti Vuçiç, i cili tashmë ka marrë – një lloj si të gjithë autokratët, siç ndodh herët a vonë me të gjithë autokratët – ka marrë në pasaportën e tij diplomatike një vizë kthimi në Republikën e Serbisë. Ka qenë në ajër edhe ai”, nënvizoi Vangjeli.
