Tiranë, 27 tetor, Zhurnal.mk – Studentë dhe protestues u grumbulluan pasditen e sotme në ditën e 15-të të protestës përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Një grup studentësh u nis nga Fakulteti i Mjekësisë dhe u bashkuan me protestuesit e tjerë përpara Ministrisë së Arsimit.
Përpara godinës së Ministrisë së Arsimit ndodhen forcat e Policisë, si dhe një autobot në rast se do të ketë tensione me protestuesit.
Protesta e të rinjve vijon të mbështetet nga pedagogët e universiteteve publike, të cilët kanë bojkotuar mësimin që prej 21 tetorit, në shenjë solidariteti me të rinjtë.
Studentët edhe sot vijuan thirrjet për dorëheqjen e Ramës përpara Ministrisë së Arsimit.
Ata i kanë vënë flakën disa kartonave dhe dy kosha mbeturinash përpara godinës së Ministrisë së Arsimit.
Pas ndalesës për rreth dy orë tek Ministria e Arsimit, të rinjtë dhe qytetarët marshuan drejt Kryeministrisë ku dhe vijuan protestën e tyre.
Gjatë ditës së djeshme protesta u zhvillua paqësisht dhe pa incidente. Ndërkohë që në ditët e mëparshme protestat u përshkallëzuan në përplasje të dhunshme mes forcave të rendit dhe protestuesve, duke shënuar dhjetëra të lënduar si në radhët e Policisë, ashtu edhe të protestuesve.
Të rinjtë dhe studentët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kanë refuzuar çdo ftesë për dialog nga ana e tij.
