Vizitë praktike e studentëve të Universiteti i Tetovës në burgjet e vendit

Nga D. V.
223 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 maj, Zhurnal.mk – Studentët e programeve studimore Studime të Drejtësisë dhe Kriminalistikë të Fakultetit Juridik dhe studentët e programit studimor Psikologji të Fakultetit Filozofik, gjatë muajit maj realizuan vizita studimore në Shtëpinë edukuese-korrektuese Tetovë (Vollkovi), Burgun e Tetovës dhe Shtëpinë Ndëshkuese-korrektuese Idrizovë në Shkup. Vizitat u zhvilluan në udhëheqjen e Prof. Dr. Afrim Osmanit, Prof. Dr. Shaban Jakupit, Prof. Dr. Sheruze Osmani-Ballazhit dhe Doc. Dr. Nazmije Shaqirit. Qëllimi i këtyre vizitave studimore ishte informimi me funksionimin e institucioneve ndëshkimore-korrektuese dhe edukuese-korrektuese, trajtimin e personave të privuar nga liria, kushtet institucionale, si dhe procesin e risocializimit dhe rehabilitimit të fëmijëve dhe të dënuarve.

Studentët patën mundësi të njihen nga afër me rolin dhe angazhimin e ekipit profesional – psikologëve, pedagogëve, punëtorëve socialë dhe stafit tjetër, në mbështetjen dhe trajtimin e personave që ndodhen në këto institucione. Në kuadër të vizitës në Shtëpinë edukuese-korrektuese Tetovë (Vollkovi), institucion në të cilin ekzekutohet masa edukuese “Dërgim në shtëpi edukuese-përmirësuese” për fëmijët e gjinisë mashkullore dhe femërore që kanë rënë ndesh me ligjin, studentët u njohën me aktivitetet dhe programet që kanë për qëllim risocializimin, riedukimin dhe zhvillimin e drejtë të fëmijëve. Atyre iu prezantuan punëtoritë grupore dhe individuale me karakter psikologjik dhe edukativ, trajnimet profesionale për aftësim në profesione të ndryshme, si dhe aktivitetet kulturore, sportive dhe argëtuese që kontribuojnë në zhvillimin e shprehive pozitive dhe përgatitjen për riintegrim në shoqëri dhe tregun e punës.

Në kuadër të vizitës në Burgun e Tetovës dhe në SHNK Idrizovë në Shkup, studentët patën mundësi të njihen me sistemin penitenciar dhe mënyrën e ekzekutimit të dënimit me burg. Në SHNK Idrizovë, i cili është institucion i tipit të mbyllur për ekzekutimin e dënimeve me burg për persona të gjinisë mashkullore dhe femërore, studentët vizituan repartin e hapur dhe repartin për femra, ku u pritën nga përfaqësues të sektorit të risocializimit. Përfaqësuesit e institucioneve ofruan prezantime të detajuara mbi strukturën organizative, ndarjen e reparteve sipas kategorive të të dënuarve dhe llojit të veprave penale, si dhe mbi të drejtat dhe detyrimet e personave të dënuar. Studentët u informuan për të drejtën për arsimim, punë, kujdes shëndetësor, kontakte me familjen dhe pjesëmarrje në programe rehabilituese dhe risocializuese.

Përmes bashkëbisedimeve aktive me drejtorët dhe me ekipet profesionale, studentët patën mundësi të shtrojnë pyetje lidhur me zbatimin praktik të dënimeve, rolin e ekipit profesional në procesin e risocializimit, si dhe sfidat me të cilat përballen personat e dënuar dhe institucionet ndëshkimore-korrektuese dhe edukuese-korrektuese.

Këto vizita janë përvojë e rëndësishme praktike dhe edukative për studentët, duke iu mundësuar atyre të lidhin njohuritë teorike me praktikën profesionale dhe të kuptojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërdisiplinor në trajtimin, rehabilitimin dhe riintegrimin social të personave të privuar nga liria. Bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe institucioneve ndëshkimore-korrektuese dhe edukuese-korrektuese pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim avancimin e përvojës praktike dhe profesionale të studentëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër