Strategji e re 2026–2030 synon qasje më të barabartë në shërbimet shëndetësore

Nga Xh M
336 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 maj Zhurnal.mk – Është në zhvillim procedura për miratimin e Strategjisë së re për shëndetin seksual dhe riprodhues për periudhën 2026–2030, e shoqëruar me Plan Veprimi për zbatimin e saj për periudhën 2026–2028, kumtuan pasdite nga Ministria e Shëndetësisë.

Strategjia është përgatitur me mbështetjen e Zyrës së OBSH-së në Shkup, Zyrës së UNFPA-së në Shkup dhe MAGO-s, me pjesëmarrjen e organizatave qytetare që veprojnë në këtë fushë, si dhe të institucioneve shëndetësore dhe ministrive relevante.

Sipas Nermina Fakoviq, koordinatore për mundësi të barabarta në Ministrinë e Shëndetësisë në takimin e 10-të të grupit sektorial për shëndetësi, strategjia e re bazohet në këto parime – qasje multisektoriale për avancimin e shëndetit, integrim të shëndetit publik, arsimit dhe mbrojtjes sociale, harmonizim me politikat e Bashkimit Evropian dhe Programin Nacional për Miratimin e së Drejtës së BE-së (NPAA), fokus në të drejtat e njeriut dhe sigurimin e qasjes së barabartë në shërbimet shëndetësore.

Siç shpjegohet në komunikatë, strategjia parasheh masa dhe aktivitete konkrete në këto fusha prioritare: Planifikimi familjar dhe trajtimi i infertilitetit, kujdes i sigurt për nënën dhe të porsalindurin,
Infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST) dhe neoplazmat malinje, shëndeti seksual dhe riprodhues i adoleshentëve, dhuna me bazë gjinore, si dhe menopauza dhe situatat e krizës.

“Në kuadër të periudhës strategjike 2026–2030, janë paraparë këto objektiva kryesore: përmirësimi i qasjes në shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët, ngritja e vetëdijes publike për shëndetin seksual dhe riprodhues, forcimi dhe rritja e kapaciteteve të sistemit shëndetësor, sigurimi i shërbimeve të integruara dhe cilësore shëndetësore, si dhe menaxhim më i mirë i të dhënave dhe informacionit shëndetësor”, theksohet në dklaratën me shkrim të ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu.

Në komunikatë theksohet se Ministria e Shëndetësisë i përfshin të gjitha palët e interesuara, shoqatat profesionale, organizatat qytetare dhe publikun në procesin e konsultimeve dhe finalizimit të Strategjisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër