Shkup, 24 maj Zhurnal.mk – Profesionet që po zgjojnë më së shumti interesim tek nxënësit janë arkitektura dhe dizajni, ndërsa drejtimet e ndërtimtarisë dhe gjeodezisë mbeten ndër profesionet duale më të kërkuara nga kompanitë dhe bizneset, për shkak të nevojës së madhe për kuadro profesionale në tregun e punës.
“Kërkesa është e lartë, madje kemi nevojë edhe më shumë. Interesimi i nxënësve për arsimin profesional në shkollën tonë është mjaft i madh dhe çdo vit një numër i konsiderueshëm nxënësish regjistrohen këtu. Shkolla jonë ka katër drejtime: Teknik i Arkitekturës, Teknik Dizajnues për Arkitekturë të Brendshme, Teknik i Ndërtimtarisë dhe Teknik i Gjeodezisë. Gjithashtu kemi edhe drejtime trevjeçare për montues pllakash, dyshemesh dhe montues të ndërtimit të thatë. Drejtimet e arkitekturës dhe dizajnit kanë numrin më të madh të nxënësve, pasi aty ata shprehin kreativitetin e tyre. Ndërsa drejtimet e ndërtimtarisë dhe gjeodezisë janë shumë të kërkuara në tregun e punës. Kohën e fundit, Ministria jep bursa për këto drejtime, të cilat janë duale”, deklaroi zv/drejtori i SH.M “Zdravko Cvetkovski”, Tasim Etem.
Shkolla e mesme e ndërtimit dhe gjeodezisë “Zdravko Cvetkovski” në Shkup bashkëpunon me kompani dhe institucione të ndryshme, duke u mundësuar nxënësve të fitojnë përvojë praktike gjatë shkollimit.
Pas përfundimit të arsimit, ata janë profesionalisht të përgatitur për tregun e punës, me mundësi që të punësohen menjëherë në kompani të ndryshme ose të hapin bizneset e tyre private në fushat përkatëse.
“Shkolla jonë ka disa memorandume dhe bashkëpunime me shumë kompani private, studio arkitekturore dhe institucione shtetërore. Nxënësit e drejtimeve përkatëse shkojnë në këto kompani dhe zhvillojnë praktikën profesionale atje, duke u përgatitur kështu, plotësisht ose pjesërisht, për tregun e punës. Sot, kompanitë e ndërtimit kanë nevojë të madhe për kuadro profesionale dhe me drejtimet që ofron shkolla jonë, nxënësit përgatiten për të punuar në kompani të ndryshme ose edhe për të hapur bizneset e tyre. Këto profesione janë shumë të kërkuara si në vend, ashtu edhe jashtë vendit”, u shpreh Etem.
Pavarësisht interesimit gjithnjë e më të lartë të nxënësve për arsimin profesional dhe kërkesës në rritje për drejtime si ndërtimtaria dhe gjeodezia, ekspertët theksojnë se numri i kuadrove të përgatitur ende nuk është i mjaftueshëm për të përmbushur nevojat reale të tregut të punës.
Kjo krijon një hendek mes kërkesës së kompanive dhe ofertës së specialistëve të kualifikuar, duke e bërë edhe më të rëndësishme fuqizimin e arsimit profesional dhe zgjerimin e bashkëpunimeve me sektorin privat.
