VLEN: Kush po e zvarrit rastin e Artan Grubit, arkivës së BDI-së?

Nga D. V.
422 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 maj, Zhurnal.mk – VLEN ka reaguar lidhur me zvarritjen e rastit të ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, duke ngritur dyshime për, siç thonë ata, mungesë veprimi institucional dhe përpjekje për ta mbajtur rastin larg epilogut gjyqësor.

Në reagimin e tyre, VLEN thekson se “rasti i Artan Grubit po zvarritet, ndërsa qytetarët po presin përgjigje”, duke e cilësuar Grubin si “arkiva e gjallë e BDI-së”, për shkak të njohurive që sipas tyre ai posedon për marrëveshjet dhe aferat e pushtetit të kaluar, përcjell Zhurnal.mk.

Sipas VLEN-it, Artan Grubi së bashku me Përparim Bajramin, dyshohen për keqpërdorime në vlerë prej 8 milionë eurosh në rastin “Lotaria Shtetërore”.

“Ky nuk është rast i zakonshëm, por një nga dosjet më të rënda të sistemit të BDI-së, ku politika, biznesi, lotaria dhe pushteti janë përzier për përfitime private”, thuhet në reagim.

Nga VLEN parashtrojnë pyetje publike se kush po e zvarrit rastin dhe kush ka interes që, sipas tyre, Grubi të mos flasë për zhvillimet brenda BDI-së.

Në reagim përmendet edhe emri i Islam Abazi. VLEN pretendon se opinioni publik e mban mend faktin që Grubi kishte punësuar një familjare të afërt të Abazit dhe më pas e kishte transferuar në AEK, duke ngritur dyshime nëse ekziston, siç thonë ata, një rrjet që siguron mbrojtje dhe paprekshmëri.

“Rasti Grubi nuk guxon të përfundojë në sirtar dhe as të kthehet në pazar të ri të nëntokës politike”, thuhet më tej në reagim, duke shtuar se çdo zvarritje e drejtësisë dëmton besimin e qytetarëve dhe rrugën evropiane të vendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër