Shkup, 25 maj Zhurnal.mk – Iniciativa qytetare “Në mbrojtje të Bunjakovecit” ka publikuar fotografi dhe ka ngritur alarmin për një shembje dheu në kryqëzimin e rrugës “Hristo Smirnenski” me bulevardin “Teodosij Gologanov”, pranë ish-fabrikës “Ivo Lola Ribar” në Shkup.
Sipas tyre, bëhet fjalë për një kolaps të tokës nën asfalt, në afërsi të një kantieri të ri ndërtimi, ku punimet – siç pretendojnë ata – kanë vazhduar edhe gjatë festës shtetërore.
Nga iniciativa thonë se dëmet mund të jenë serioze, pasi sipas tyre është prekur infrastruktura nëntokësore, përfshirë kabllot e energjisë elektrike dhe telekomunikacionit.
“Është dëmtuar e gjithë infrastruktura – kabllot e energjisë elektrike, telekomunikacioni… Se a janë të rrezikuara edhe korsitë e rrugës dhe trotuaret e bulevardit dhe rrugës – vlerësojeni vetë”, thuhet në reagimin e tyre.
Ata paralajmërojnë se situata mund të përbëjë rrezik për infrastrukturën përreth dhe kërkojnë reagim urgjent nga institucionet kompetente, ndërsa deri më tani nuk ka informacion zyrtar për shkaqet e incidentit apo për masat që do të ndërmerren.
