Chelsea rrezikon të humbasë yllin e madh, Man City gati ofertën prej 100 milionë eurosh

Nga D. V.
296 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Manchester City po mendon seriozisht rikthimin e ish-talentin të akademisë së klubit, Cole Palmer.

Ylli i Chelseat ndodhet në radarët e “Citizens”, të cilët janë gati të ofrojnë rreth 100 milionë euro për ta rikthyer në “Etihad”, në atë që mund të jetë një nga transferimet më të bujshme të verës në Ligën Premier.

Palmer nuk ka kaluar sezonin më të mirë me Chelsean, pas paraqitjeve fantastike në edicionet e fundit, anglezi ka hasur vështirësi me formën, dëmtimet dhe mungesën e vazhdimësisë, duke humbur ndikimin që dikur e bënte liderin ofensiv të skuadrës londineze.

Problemet fizike kanë ndikuar ndjeshëm në performancën e tij. 24-vjeçari nuk ka arritur të gjejë ritmin që e karakterizonte më parë, ndërsa shkëlqimi i tij në zonën finale dhe aftësia për të vendosur ndeshje të mëdha janë parë shumë më rrallë këtë sezon.

Goditja më e madhe për Palmer erdhi nga kombëtarja angleze, trajneri Thomas Tuchel vendosi ta lërë jashtë listës për Kupën e Botës 2026, një mungesë surprizuese për një lojtar që deri pak muaj më parë konsiderohej i paprekshëm te “Tre Luanët”.

Kjo situatë ka bërë që futbollisti të nisë të mendojë seriozisht për të ardhmen e tij. Pa garat evropiane sezonin e ardhshëm dhe me Chelsean që vazhdon të ketë paqartësi sportive e institucionale, ‘Stamford Bridge’ mund të mos jetë më vendi ideal për rilindjen e karrierës së tij.

Pikërisht këtu hyn në skenë Manchester City. Kampionët anglezë e shohin Palmer si profilin perfekt për të forcuar repartin ofensiv, duke qenë se ai njeh filozofinë e klubit, stilin e lojës dhe kërkesat e nivelit më të lartë.

Rikthimi i tij në “Etihad” do të kishte jo vetëm vlerë sportive, por edhe simbolike për Cityn, që mund të korrigjojë një nga “gabimet” më të mëdha të viteve të fundit, pasi lejoi largimin e një prej talenteve më premtuese të akademisë.

Megjithatë, operacioni mbetet shumë i komplikuar. Chelsea nuk dëshiron të humbasë një nga asetet më të rëndësishme të skuadrës, por një ofertë që prek shifrën e 100 milionë eurove mund të ndryshojë gjithçka.

Nga ana tjetër, edhe vetë Palmer thuhet se do ta shihte me sy pozitiv një rikthim te City, ku do të kishte mundësinë të luftonte sërish për trofetë më të mëdhenj dhe të rikthente versionin më të mirë të vetes.

Vera pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e anglezit, ndërsa Manchester City po përgatit një ofensivë që mund ta kthejë Cole Palmerin në një nga protagonistët absolutë të afatit kalimtar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër