Bruksel, 29 maj, Zhurnal.mk – Bashkimi Evropian thirri sot të dërguarin e Rusisë në Bruksel, pasi Moska u bëri thirrje diplomatëve të huaj të largohen nga Kievi për shkak të kërcënimit për një sulm tjetër të madh ndaj kryeqytetit ukrainas.
Sipas një zëdhënëseje të shefes së diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, kërcënimet ndaj qytetarëve dhe diplomatëve të huaj përbëjnë “një përshkallëzim të papranueshëm”.
“Misioni diplomatik i BE-së në Kiev do të vazhdojë të qëndrojë në qytetË, theksoi ajo.
Një ditë më parë, Rusia paralajmëroi se mund të ndërmarrë një tjetër bombardim masiv ndaj Kievit, pas një prej sulmeve më të mëdha kundër kryeqytetit ukrainas që nga fillimi i luftës.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme ruse u bëri thirrje diplomatëve të huaj të largohen sa më shpejt nga Kievi, duke paralajmëruar se ushtria ruse do të godasë sistematikisht objektivat ushtarake dhe “qendrat e komandës” në qytet.
Gjatë fundjavës, sipas Forcave Ajrore ukrainase, Rusia sulmoi rajonin e Kievit me rreth 600 dronë dhe 90 raketa. Mes objekteve të dëmtuara ishin ndërtesa banimi, biznese, një impiant furnizimi me ujë dhe muze.
Autoritetet ukrainase raportuan dy viktima në zonën e Kievit, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se 87 persona u plagosën, mes tyre edhe tre të mitur.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi përdorimin e raketës së re me rreze të mesme veprimi “Oreshnik”, e cila konsiderohet veçanërisht e rrezikshme për shkak të fuqisë së saj shkatërruese dhe aftësisë për të goditur objektiva në pjesë të mëdha të Evropës.
