Madrid, 26 maj Zhurnal.mk – Ish-kryeministri socialist spanjoll José Luis Rodríguez Zapatero është përfshirë në një skandal të madh politik dhe financiar që rrezikon të tronditë qeverinë e kryeministrit aktual Pedro Sanchez. Sipas hetuesve spanjollë, në kasafortën e tij janë gjetur më shumë se 100 sende luksi me vlerë nga 2 deri në 3 milionë euro, përfshirë bizhuteri me rubinë, smeralde, safirë dhe diamante, si edhe ora koleksioni të markave Omega dhe Longines.
Mes sendeve të sekuestruara përmenden 41 palë vathë, 15 varëse, 11 byzylykë, 8 ora luksoze dhe dhjetëra aksesorë të tjerë. Në mesin e tyre ishte edhe një qafore e madhe me 14 rubinë të cilësisë shumë të lartë.
Dikur Zapatero konsiderohej simbol i reformave progresiste në Spanjë, i njohur për ligjet kundër dhunës në familje, legalizimin e martesave homoseksuale dhe politikat për barazinë gjinore. Por sot ai po hetohet për trafik influence, ryshfet, kontrata fiktive, pastrim parash dhe lidhje të dyshuara me autoritetet venezueliane dhe biznesmenë kinezë.
Hetimi lidhet me “çështjen Plus Ultra”, që ka të bëjë me shpëtimin financiar të kompanisë ajrore Plus Ultra Líneas Aéreas gjatë pandemisë Covid-19 dhe lidhjet e saj të dyshuara me Venezuelën. Njësia për krimet ekonomike dhe fiskale i ka dorëzuar gjykatës José Luis Calama një dosje prej më shumë se 4 mijë faqesh.
Sipas akuzave, Zapatero ndodhej në krye të një rrjeti të paligjshëm me shtrirje nga Spanja në Amerikën Latine dhe deri në Kinë. Hetuesit dyshojnë se ai ka marrë të paktën 2.6 milionë euro gjatë pesë viteve të fundit nga kompani nën hetim ose me kapital kinez.
Sekretarja e ish-kryeministrit deklaroi se kasaforta “i përket shtëpisë së Zapatero-s” dhe se disa prej bizhuterive ishin trashëgimi e bashkëshortes ose dhurata nga udhëtimet, sipas televizionit publik RTVE.
Javën e kaluar policia spanjolle nisi “Operacionin Tibet”. Agjentët mbërritën herët në mëngjes në banesën e Zapatero-s për ta njoftuar zyrtarisht për hetimin, ndërsa ekipe të tjera kontrolluan zyrën e tij profesionale në rrugën Ferraz në Madrid, ku ndodhet edhe selia e Partisë Socialiste Spanjolle, si edhe zyrat e kompanisë së komunikimit Whathefav S.L., në pronësi të vajzave të tij Laura dhe Alba Rodríguez Espinosa.
Sipas mediave spanjolle, ish-kryeministri mund të ketë qenë gati të largohej nga vendi. Në ditët para operacionit, kur emri i tij kishte nisur të qarkullonte në ambientet gjyqësore, ai kishte blerë një biletë avioni drejt Santo Domingos, prej nga planifikonte të vazhdonte me avion privat drejt Karakasit në Venezuelë. Sipas El Confidencial, udhëtimi nuk figuronte në asnjë agjendë zyrtare dhe ishte organizuar me nxitim.
Origjina e hetimit lidhet me një kallëzim të Prokurorisë Antikorrupsion spanjolle në tetor 2024, pas sinjalizimeve nga autoritetet zvicerane dhe franceze për një skemë të dyshuar pastrimi parash me origjinë nga Venezuela.
Hetimi i Gjykatës Qendrore të Madridit u përqendrua tek përdorimi i dyshuar i 53 milionë eurove të dhëna nga qeveria për shpëtimin e kompanisë Plus Ultra, e lidhur me biznesmenin Julio Martínez, i arrestuar në dhjetor 2025.
Sipas hetuesve, Martínez përfitoi më shumë se 300 mijë euro përmes kompanisë së konsulencës Analisis Relevante dhe më pas transferoi 490,780 euro tek Zapatero dhe 239,755 euro tek kompania e vajzave të tij, përmes faturave të dyshuara si fiktive, gjatë viteve 2020-2024.
Avokatët e Zapatero-s mohojnë akuzat dhe pretendojnë se pagesat lidhen me punë reale konsulence të kryera nga ai dhe vajzat e tij, të cilat sipas tyre hartonin raportet e konsulencës.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe rolin e kompanisë Inteligencia Prospectiva, e themeluar në vitin 2020 nga dy vëllezër venezuelianë Amaro Chacón. Sipas dyshimeve, kjo kompani ka transferuar rreth 1 milion euro drejt kompanisë së vajzave të Zapatero-s, kompanisë Analisis Relevante dhe think tank-ut Gate Center, i drejtuar nga vetë ish-kryeministri.
Njësia për krimet ekonomike dyshon gjithashtu se Inteligencia Prospectiva kishte lidhje me Partinë Komuniste kineze dhe biznesmenë kinezë, ndërsa Zapatero mund të ketë vepruar si ndërmjetës me qeverinë venezueliane për shitblerjen e naftës venezueliane. Zyrtarisht ai paraqitej si ndërmjetës për tranzicion demokratik në Venezuelë.
Pavarësisht skandalit, kryeministri aktual Pedro Sánchez vazhdon të mbrojë paraardhësin e tij dhe deklaron se është “i qetë”. Kampi progresist pretendon se hetimet po përdoren politikisht, njësoj si në rastin e hetimit ndaj bashkëshortes së Sánchez, Begoña Gómez Fernández.
Megjithatë, sipas mediave spanjolle, pas fasadës së unitetit po rritet shqetësimi edhe mes aleatëve të qeverisë dhe partive nacionaliste që mbështesin shumicën e brishtë të Sánchez/ CorrieredellaSera
