Durrës, 26 maj Zhurnal.mk – Qeveria shqiptare ka nisur një proces të thellë rishikimi të legjislacionit kombëtar për peshkimin, me qëllim përafrimin e tij me standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian në kuadër të Kapitullit 13. Përmes një projektligji të ri që sjell shtesa dhe ndryshime në ligjin bazë nr. 64/2012, synohet futja e teknologjive të avancuara të monitorimit, digjitalizimi i flotës dhe ashpërsimi i masave ndëshkuese për peshkimin e paligjshëm.
Digjitalizimi i flotës dhe qendra e re e monitorimit
Baza e këtij projektligji është modernizimi i plotë i proceseve të raportimit dhe mbikëqyrjes në det. Për herë të parë, krijohet baza ligjore për pajisjen e anijeve peshkuese me Sistemin e Monitorimit Elektronik në Distancë (REM), i cili përfshin përdorimin e kamerave (CCTV) në bord. Ky sistem do të monitorojë respektimin e detyrimeve të zbarkimit dhe do të shmangë abuzimet.
Paralelisht, zyrtarizohet funksionimi i Qendrës së Monitorimit të Peshkimit (QMP), e cila do të jetë struktura qendrore mbikëqyrëse që do të operojë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.
“Ky projektligj synon forcimin e sistemit kombëtar të kontrollit të peshkimit, përmirësimin e gjurmueshmërisë së produkteve të peshkimit, digjitalizimin e proceseve të raportimit dhe krijimin e bazës ligjore për përdorimin e sistemeve moderne të monitorimit elektronik në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian,” theksohet në relacionin zyrtar të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Operatorët e peshkimit do të detyrohen gjithashtu të mbajnë dhe të transmetojnë në mënyrë elektronike të dhënat e librit të anijes drejt QMP-së, duke shmangur raportimet manuale dhe duke rritur saktësinë e të dhënave mbi zëniet.
Lufta kundër peshkimit të paligjshëm dhe sistemi me pikë
Ndryshimet ligjore i hapin rrugë një qasjeje me tolerancë zero ndaj peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar (PPP). Projektligji parashikon ndalimin e rreptë të përdorimit të mjeteve goditëse dhe fishekëve gjatë ushtrimit të aktivitetit, si dhe sjell rregulla të qarta për peshkimin pa mjete lundruese dhe atë çlodhës-argëtues.
Për shkelësit e rregullave është formuluar një sistem pezullimi dhe ndëshkimi me pikë, i cili prek drejtpërdrejt lejet e peshkimit dhe të drejtën për të komanduar një anije.
“Ndër shkeljet e parashikuara përfshihen ushtrimi i aktivitetit pa leje ose autorizim të vlefshëm, falsifikimi i dokumenteve dhe identitetit të anijes, pengimi i punës së inspektorëve dhe vëzhguesve, transbordimi i paligjshëm, përdorimi i pajisjeve të ndaluara, manipulimi i motorëve dhe përdorimi i punës së detyruar,” sqarohet në dokument, duke theksuar se tejkalimi i pragut maksimal të pikëve për shkelje të rënda çon në tërheqjen përfundimtare të lejes së peshkimit.
Efektet financiare dhe formalizimi i sektorit
Pavarësisht ngritjes së strukturave të reja si QMP dhe organizimit të komisioneve të posaçme të vlerësimit, shqyrtimit të lejeve dhe ankimimit, drafti sqaron se nisma nuk do të krijojë efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit. Përballimi i këtyre nevojave do të realizohet përmes riorganizimit të brendshëm të institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe akuakulturës.
Përtej sanksioneve, ligji i ri ofron edhe një mekanizëm kalimtar lehtësues. Anijet peshkuese që deri më 31 dhjetor 2025 rezultojnë me mospërputhje të fuqisë motorike reale me atë të përcaktuar në lejen e peshkimit, do të kenë një afat 1-vjeçar nga hyrja në fuqi e ligjit për të korrigjuar këtë situatë, me kushtin e pagesës së diferencës së taksës vjetore. Zbatimi i kërkesave për pajisjet e reja elektronike të monitorimit (VMS dhe REM) do të bëhet në mënyrë graduale, për t’i dhënë kohë sektorit të përshtatet me standardet e reja.
