Nis zyrtarisht ngritja e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, hapet procedura për konsulencë ndërkombëtare

Nga Xh M
452 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 26 maj Zhurnal.mk – Nis zyrtarisht procedura për ngritjen e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, institucioni i parë financiar zhvillimor me kapital 100% shtetëror në vend.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) ka hapur procedurën e prokurimit për përzgjedhjen e kompanisë konsulente që do të asistojë në hartimin e kuadrit strategjik, operacional dhe institucional të bankës së re.

Procedura synon të tërheqë kompani me eksperiencë ndërkombëtare në ngritjen dhe funksionalizimin e institucioneve financiare zhvillimore, me qëllim që Banka Shqiptare e Zhvillimit të bëhet sa më shpejt funksionale dhe operative.

Projekti konsiderohet një nga nismat më të rëndësishme të viteve të fundit në drejtim të krijimit të instrumenteve shtetërore për mbështetjen e ekonomisë dhe sipërmarrjes.

Banka Shqiptare e Zhvillimit pritet të ketë rol kyç në financimin e ekonomisë, veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme, përmes mekanizmave financues me kushte lehtësuese.

Një tjetër element i rëndësishëm i projektit është zgjerimi i aksesit në shërbime financiare përmes rrjetit të Postës Shqiptare në të gjithë territorin e vendit, duke synuar përfshirje më të madhe financiare, sidomos në zonat ku shërbimet bankare janë më të kufizuara.

Megjithëse si shoqëri aksionare Banka Shqiptare e Zhvillimit nuk kishte detyrim ligjor për të zhvilluar procedurat e prokurimit përmes organit qendror blerës, ajo ka zgjedhur vullnetarisht t’ia besojë këtë proces Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.

Ky vendim shihet si një tregues i besimit ndaj standardeve të transparencës, profesionalizmit dhe procedurave të ndjekura nga OBP.

Me nisjen e kësaj procedure, projekti hyn tashmë në një fazë konkrete zbatimi, ndërsa autoritetet synojnë që institucioni i ri financiar të shërbejë si një instrument i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, mbështetjen e investimeve dhe forcimin e sipërmarrjes shqiptare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër