Tetovë, 26 maj, Zhurnal.mk – Organizata qytetare “Forumi për Ndryshim në Arsim” ka bërë të ditur se është konfirmuar denoncimi i tyre lidhur me rastin e Arbresha Bexheti Feratit, ndërsa Universiteti i Tetovës është gjobitur me 2.500 euro dhe rektori me 750 euro për mosveprim ndaj udhëzimeve të Inspektoratit të Arsimit.
Sipas FNA-së, edhe tetë ditë pas konstatimit të shkeljeve, UT-ja nuk ka shpallur të pavlefshëm konkursin dhe nuk e ka kthyer procedurën nga fillimi, siç ishte kërkuar nga Inspektorati.
Në qendër të rastit, sipas organizatës, është edhe vendimi i Senatit të Universitetit të Tetovës, i nënshkruar nga kreu i atëhershëm i Senatit dhe kandidati aktual për rektor, Kushtrim Ahmeti. Bëhet fjalë për njohjen e një thirrjeje akademike të marrë në një universitet në Beograd, pa u verifikuar paraprakisht nëse kandidatja i plotësonte kushtet ligjore të detyrueshme.
FNA thotë se Gjykata Administrative do të merret me ligjshmërinë e këtij vendimi, ndërsa Inspektorati i Arsimit tashmë ka dorëzuar edhe propozim-padi për rastin.
Nga organizata shtojnë se nuk do të qëndrojnë duarkryq deri në zbardhjen e plotë të rastit, duke përsëritur kërkesën e tyre për veting në arsimin e lartë.
