Miratohet udhërrëfyesi 2030, Koçiu: Puna e institucioneve shqiptare, e pakthyeshme

Nga D. V.
317 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 28 maj, Zhurnal.mk – Këshilli i Ministrave miratoi sot udhërrëfyesin kombëtar për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm deri në vitin 2030, një dokument strategjik në kuadër të ecurisë së vendit drejt Bashkimit Europian.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu u shpreh se kjo është një vendimmarrje shumë e rëndësishme që vjen në vazhdën e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

“Konferenca Ndërqeveritare konfirmoi edhe njëherë angazhimin dhe rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë drejt procesit të anëtarësimit në BE. Një progres, i cili u konfirmua njëzëri nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe që na jep mundësinë tashmë të fillojmë me negociatat për mbylljen e kapitujve”, tha Koçiu.

Koçiu u shpreh se dy vendimet më të fundit të Këshillit të Ministrave sigurojnë edhe njëherë që puna e institucioneve shqiptare është e pakthyeshme dhe e konsoliduar.

“Konfirmon se institucionet shqiptare tashmë kanë arritur pjekurinë e mjaftueshme për t’u përshtatur dhe raportuar ashtu siç duhet reformat e ndërmarra. Reforma dhe angazhime të cilat BE, por edhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë kërkojnë nga Shqipëria dhe institucionet publike shqiptare”, tha Koçiu.

Koçiu informoi se udhërrëfyesi kombëtar për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm deri në vitin 2030 është një dokument strategjik që përmban brenda tij 66 kritere të matshme”.

“Këto kritre do ta orientojnë punën e institucioneve publike në përputhje edhe me agjendën 2030 të Shqipërisë. Po ashtu edhe me strategjinë kombëtare për zhvillim dhe integrim europian si dhe me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, shtoi Koçiu.

Një tjetër vendim i rëndësishëm i miratuar në mbledhjen e sotme është dhe partneriteti strategjik mes institucioneve dhe qeverisë shqiptare me agjencitë e kombeve të bashkuara për periudhën 2027-2031.

Koçiu theksoi se ky është një dokument i rëndësishëm që ka kaluar një fazë të gjerë konsultimesh publike jo vetëm me institucionet dhe shoqërinë civile por edhe me partnerët ndërkombëtar.

“Ky dokument bazohet në tre shtylla të rëndësishme. Së pari, zhvillimi i qëndrueshëm i kapitalit njerëzor duke garantuar që të kemi institucione të forta, të konsoliduara por edhe punonjës të aftë profesionalisht për të çuar përpara agjendën europiane. Së dyti është  transformimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rritja e gjelbër, një prioritet tjetër ky për të standardizuar edhe njëherë të gjitha shërbimet që ofrohen për qytetarët”, tha Koçiu.

Po ashtu, zv/kryeministrja nënvizoi dhe mirëqeverisjen, drejtësinë dhe të drejtat e njeriut.

“Këto janë tre shtylla të rëndësishme. Kur vjen puna te aspirata e madhe europiane, të gjithë vendimmarrjet vijnë në vazhdën e konsolidimit të shtetit të së drejtës, të forcimit të kapaciteteve njerëzore, të transformimit dhe rritjes së vazhdueshme dhe të qëndrueshme ekonomike që në thelb janë standardet e një Shqipërie europiane”, tha Koçiu.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër