Balliu: Kartelet shqiptare të drogës po fuqizohen nga pandëshkueshmëria

Nga D. V.
250 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 28 maj, Zhurnal.mk – Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Klevis Balliu, reagoi sot pas operacionit të fundit anti-drogë në Itali, ku dhjetëra shtetas shqiptarë u përfshinë në një rrjet të organizuar të trafikut të kokainës.

Balliu deklaroi se ky operacion është pasqyra më e qartë e dështimit të qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar.

Sipas Balliut, fuqizimi i karteleve shqiptare të drogës nuk ka ardhur rastësisht, por si rezultat i klimës së pandëshkueshmërisë dhe lidhjeve të krimit me pushtetin.

Ai theksoi se të rinj shqiptarë, pa precedentë penalë, po përdoren nga organizatat kriminale si “ushtarë të drogës”, ndërsa shtoi se kjo është pasoja direkte e mungesës së mundësive, varfërisë dhe modelit të gabuar që sipas tij ka instaluar qeveria.

Balliu nënvizoi gjithashtu se nuk është rastësi që mosha mesatare e të vrarëve në atentate mafioze dhe përplasje kriminale në Shqipëri është rreth 30 vjeç.

“Kemi një brez të tërë të rritur gjatë qeverisjes së Edi Ramës, një brez që në vend të arsimit, punës dhe shpresës është përballur me modelin e drogës, luksit kriminal dhe parave të pista”, deklaroi ai.

Balliu gjithashtu i bëri thirrje prindërve shqiptarë të mbrojnë fëmijët nga ndikimi i krimit dhe të mos lejojnë që rinia shqiptare të përdoret nga organizatat kriminale.

Ai theksoi se Shqipëria meriton një të ardhme ku të rinjtë ndërtojnë jetën me punë dhe meritë, e jo me drogë dhe dhunë mafioze.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër