Prishtinë, 28 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se themelimi i Xhandarmërisë së Kosovës është bërë domosdoshmëri për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme ndaj sigurisë dhe sovranitetit të vendit, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, Kurti tha se gjatë viteve të fundit Kosova është përballur me sulme të shumta, sidomos në veri të vendit.
“Ne kemi pasur sulme të vazhdueshme gjatë viteve të fundit në veçanti në veriun e vendit tonë, ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, Policisë së Kosovës, institucioneve të sigurisë, qytetarëve, institucioneve dhe misioneve ndërkombëtare, sikurse rëndimi i policëve dhe qytetarëve, sulmet mbi ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët, sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe sulmi në Ibër-Lepenc e të tjera”, tha ai.
Kurti tha se këto zhvillime kanë dëshmuar ekzistencën e grupeve të organizuara me kapacitete ushtarake.
“Këto kanë treguar se grupet armiqësore me organizim paraushtarak, me armë të rënda dhe me kapacitete operacionale ushtarake, përfshirë dronë dhe anti-dronë të cilat tejkalojnë mundësitë standarde policore, kanë rrezikuar dhe mund të rrezikojnë seriozisht sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj”, tha ai.
Ai shtoi se Xhandarmëria do të shërbejë si strukturë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Me qëllim të adresimit të këtyre sfidave, mes vështirësive të mëdha dhe rreziqeve jo të vogla, si dhe përballjes me këto, themelimi i Xhandarmërisë si strukturë e re e specializuar, moderne dhe e disiplinuar, është domosdoshmëri e kohës, e cila do të plotësojë boshllëkun ndërmjet Policisë së Kosovës dhe ushtrisë, përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha ai.
Sipas Kurtit, mandati i Xhandarmërisë do të përfshijë sigurimin e kufijve, luftimin e kontrabandës dhe reagimin ndaj grupeve terroriste.
“Mandati i Xhandarmërisë do të jetë sigurimi i vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, përfshirë ato me karakter paraushtarak. Parandalimi dhe luftimi i të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare, si me mallra ashtu edhe me njerëz. Menaxhimi i situatave të rrezikut të lartë, si dhe sigurimi i infrastrukturës kritike.
Modeli i Xhandarmërisë është praktikë e dëshmuar evropiane. Shtetet si Franca, Italia, Turqia, Spanja, Portugalia dhe jo vetëm, kanë struktura të ngjashme me role dhe mandate të qarta, të cilat veprojnë me efikasitet dhe profesionalizëm për dekada”, tha ai.
Kurse, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se tashmë është themeluar grupi punues për analizimin e modaliteteve të krijimit të Xhandarmërisë.
“Në kuadër të kompetencave të mia si Ministër i Punëve të Brendshme, unë kam themeluar grupin punues për analizimin dhe propozimin e modaliteteve për themelimin e xhandarmërisë, me qëllim të forcimit të kontrollit në vijën kufitare, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe reagim të shpejtë ndaj kërcënimeve në përmasa të ndryshme. Tashmë grupi punues është duke punuar në analizimin e aspekteve ligjore, institucionale, organizative, financiare dhe operacionale të themelimit të xhandarmërisë si agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme përmes ligjit të veçantë”, tha ai.
Sveçla shtoi se funksionalizimi i Xhandarmërisë do t’i mundësojë Policisë së Kosovës të fokusohet më shumë në rendin dhe sigurinë publike.
“Themelimi dhe funksionalizimi i xhandarmërisë do t’i mundësojë Policisë së Kosovës që të fokusohet në sigurinë dhe rendin publik, parandalimin dhe hetimin e krimit, sigurinë në komunikacion si dhe detyra të tjera sipas autorizimeve ligjore”, tha ai.
