Mbahet në Tiranë “Mëngjesi i Lutjeve të Europës Juglindore”: Ballkani të mos mbetet peng i historisë

Nga D. V.
395 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 maj, Zhurnal.mk – Në Tiranë u zhvillua “Mëngjesi i Lutjeve i Europës Juglindore”, me moton “Faith and Liberty”, e organizuar nga një grup deputetësh, të drejtuar nga Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Takimin e përshëndetën Kryetari i Kongresit të SHBA-së Mike Johnson, Senatori Amerikan James Lankford, Kryetari i Grupit për Shqipërinë në Kongresin Amerikan, Kongresmeni Robert Aderholt, dhe Kryetari i Mëngjesit Kombëtar të Lutjeve në SHBA, Kongresmeni Ben Cline.

Në aktivitet morën pjesë personalitete të njohura nga SHBA, Europa dhe rajoni, mes tyre ish-Kongresmeni amerikan dhe këshilltari i Zëvendës Presidentit amerikan JD Vance për veprimin konservator, Bob McEwen, ish-këshilltarja e Presidentit George W. Bush, Mary Katherine Andrews, Sekretarja e Përgjithshme e PPE-së, eurodeputetja Dolors Montserrat, Zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Eugenio Zoffili,përfaqësues të Institutit Republikan Amerikan, deputetë nga vendet e rajonit si edhe të Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë aktivitetit, i cili u drejtua nga Arben Malaj dhe Fatmir Mediu, u nënvizua se popujt e Evropës Juglindore e njohin mirë çmimin e humbjes së lirisë, pasi kanë kaluar përmes ndarjeve, konflikteve dhe pasigurisë. Mesazhi kryesor i aktivitetit ishte se besimi i jep njeriut forcën për të përballuar sfidat, ndërsa liria i jep dinjitetin për të jetuar.

Liritë, të drejtat janë të dhëna nga Zoti dhe jo nga qeveria. Qeveria nuk është Zot i jetës sonë por duhet të garantojë, të drejtat dhe liritë dhe ndërtimin e të ardhmes e mirëqenies në Shqipëri.

Në një kohë kur Evropa dhe bota përballen me luftëra, polarizim dhe krizë besimi, u theksua nevoja për përgjegjësi morale, solidaritet dhe bashkëpunim mes kombeve. Duke cituar Nënë Terezën – “Nëse nuk kemi paqe, është sepse kemi harruar se i përkasim njëri-tjetrit”- pjesëmarrësit bënë thirrje që Ballkani të mos mbetet peng i historisë, por të ndërtojë një të ardhme të bazuar mbi vlera demokratike, shpresë dhe liri me përgjegjësi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër