Tiranë, 29 maj Zhurnal.mk – Një ditë para se PD të mbledhë Kuvendin Kombëtar, ish-deputeti Ervin Salianji e ka sfiduar kryedemokratin Sali Berisha me një takim me demokratët pranë Sheshit Nënë Tereza në Tiranë.
Me qindra demokratë iu bashkuan tubimit të organizuar nga Salianji, i cili nisi me himnin Kombëtar dhe morën fjalën me dhjetëra të pranishëm, një pjesë e të cilëve figura të rëndësishme në PD.
I fundit që e mori fjalën ishte Ervin Salianji, i cili deklaroi se qëllimi i lëvizjes së nisur prej tij është fuqizimi i PD-së dhe kthimi i saj në një forcë fituese.
Teksa e cilësoi Sali Berishën autokrat që po mban peng PD-në, Salianji ju bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen me lëvizjen e tij.
“Të gjithë ne nuk kemi asnjë privilegj nga PD, por kemi zemër, kemi dinjitet. Ju falënderoj të gjithëve që na u bashkuat sot në këtë takim. Kjo lëvizje nuk është asgjë tjetër veçse ta kthejë PD-në dhe opozitën në krye të qeverisjes dhe të mbyllim një orë e më parë ciklin e Edi Ramës. Ne s’kemi pasur qëllim të ndajmë, por të hapin një debat. Ne mund të rritemi vetëm duke shkuar përtej vetes, duke ndërtuar norma. Në vetëm një dekadë, numri i nxënësve që nisin shkollën thuajse është përgjysmuar. Qytetet boshatisen. Sot fatkeqësisht mosha mesatare e popullsisë në Shqipëri po plaket me ritme të shpejta. Rama është autokrati i Shqipërisë, Berisha autokrati i opozitës”, tha mes të tjerash Salianji.
Më tej Salianji akuzoi Berishën se e ka kthyer PD-në në një kotec pulash (referuar zvogëlimit të kësaj force politike) dhe po e mban atë me zor.
Salianji tha gjithashtu se në bazë të të ashtuquajturit neni ‘Basha’, Sali Berisha nuk duhet të ishte lejuar për të rikandiduar për kryetar të PD-së në zgjedhjet pa garë të 23 majit, pasi ka humbur në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar.
“PD ka humbur shumë beteja gjatë këtyre viteve, por humbja më e madhe ka qenë largimi nga standardet që bënë PD forcën më të madhe në këtë vend. Sot shumë demokratë janë përjashtuar jo vetëm nga vendimmarrja por edhe nga e drejta për të dhënë kontribut. Shumë profesionistë nuk e gjejnë derën e hapur për të kontribuar. Kjo është alarmante. Sepse demokracia nuk është mbajtja me zor e një koteci siç po bën zotëria. Demokracia është garë, debat, përballje me premtimet e dhëna dhe të pambajtura dhe çdo demokrat të ketë mundësi të zgjedhje atë që mendon se e bën PD fituese. Ne do vazhdojmë pa ndalur deri sa ta përmirësojmë PD. Nuk mund të pranojmë përjashtimin e demokratëve që përballen me regjimin. Neni “Basha”, ndalon kandidimin e kryetarit që humb zgjedhjet. Neni 46 në PD e ndalon Berishën të kandidojë, pasi ka humbur zgjedhjet. I famshmi neni Basha. Në vend të përjashtohej ai nga gara, u përjashtuam ne”, vijoi më tej Salianji.
Për Salianjin, emërimet klienteliste në PD duhet të marrin fund. Sipas ish-deputetit, sot në PD promovohen të dështuarit dhe largohen të suksesshmit.
“Ne duhet të kthejmë meritokracinë si standard. Sot në PD më të dështuarit promovohen dhe më të suksesshmit ndëshkohen. Duhet t’i japin fund emërimeve klienteliste në PD. PD duhet të bashkojë çdo copës opozitarizmi”, deklaroi Salianji.
