Tiranë, 29 maj Zhurnal.mk – Fermerët në zonat kryesore të prodhimit të mollës në Devoll, Zvirinë dhe Dvoran ndodhen në periudhën më të rëndësishme të rrallimit të pemëtoreve, një proces i domosdoshëm që kryhet çdo vit gjatë muajve maj-qershor.
Specialistët e bujqësisë theksojnë se rrallimi i mollës duhet të përfundojë brenda dy javëve, në mënyrë që pemët të krijojnë sythat frutorë për vitin e ardhshëm dhe të sigurojnë prodhim cilësor e të qëndrueshëm.
“Shumë i nevojshëm për të rritur cilëson e prodhimit dhe për të pasur prodhim nga viti në vit dhe në qershor duhet ta kemi pemën të rrallua”, u shpreh Nevjon Telha, Specialist i sektorit të pemëtarisë, QTTB.
Sipas specialistit të pemëtarisë, procesi realizohet në dy mënyra, manualisht dhe me preparate kimike, ku kjo e fundit po aplikohet gjerësisht për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe efikasitetit më të lartë.
“Rrallimi është në dy mënyra, rrallim me dorë dhe me preparate kimike”, tha ai.
Në zonat me potencial të lartë të prodhimit të mollës, si Devoll, Zvirinë dhe Dvoran, po aplikohet gjerësisht rrallimi kimik, i cili sipas fermerëve ka dhënë rezultate pozitive.
“Është përdorur me sukses dhe fermerët janë të kënaqur nga përdorimi i preparateve te tjera të suksesshme dhe kanë dhënë rezultat”, theksoi specialisti.
Qarku i Korçës prodhon rreth 120.000 ton mollë në vit, sasi e cila shitet kryesisht në tregun vendas e më pak në vendet e rajonit.
