Shkup, 31 maj Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë së Re Socialdemokrate (NSDP), Goran Misovski, nga foltorja e Kongresit të Shtatë të partisë deklaroi se vendi po lëviz në drejtim të gabuar, duke kritikuar pushtetin aktual për pasiguri ekonomike, përçarje dhe institucione të kapura.
Duke prezantuar vizionin e NSDP-së për drejtësi sociale, institucione të forta dhe një të ardhme evropiane, Misovski theksoi se partia gjatë dy dekadave të fundit ka dëshmuar përgjegjësi dhe kapacitet për të marrë vendime të vështira në interes të shtetit dhe qytetarëve.
“Në këto 20 vite treguam se mund të jemi të përgjegjshëm, se mund të marrim vendime të vështira dhe se dimë ta vendosim shtetin para partisë, ndërsa qytetarët para politikës. Nuk u larguam kur kërkohej përgjegjësi, nuk heshtëm kur nevojitej qëndrim dhe asnjëherë nuk e vendosëm partinë mbi shtetin”, tha Misovski.
Ai shtoi se NSDP sot mund të paraqitet me dinjitet para qytetarëve, duke theksuar se partia jo gjithmonë ka zgjedhur rrugën më të lehtë, por është përpjekur të zgjedhë atë që e konsideron të drejtë.
Kongresi i Shtatë i NSDP-së po mbahet nën moton e ndërtimit të një shoqërie me drejtësi sociale, institucione funksionale dhe orientim të qartë drejt integrimit evropian, ndërsa drejtuesit e partisë theksuan nevojën për ndryshime që do t’u përgjigjen sfidave me të cilat përballen qytetarët.
