Rikonstruimi i shumëpërfolur i Qeverisë, Zhurnal sjellë detaje që po qarkullojnë në qarqet politike

Nga R.ZH
1,401 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 31 maj Zhurnal.mk – Teksa po afrohet afati për rikonstruimin e paralajmëruar të Qeverisë gjatë muajit Qershor, në qarqet qeveritare po intensifikohen diskutimet për ndryshimet e mundshme kadrovike dhe rishpërndarjen e disa resorëve ndërmjet partnerëve të koalicionit.

Burime pranë Qeverisë, të cilat janë të përfshira në konsultimet që po zhvillohen në nivel të partnerëve qeveritarë, bëjnë të ditur për Zhurnal se në tavolinë ndodhen disa skenarë, si për emrat që do të mbajnë pozicione ministrore, ashtu edhe për ministritë që mund të ndryshojnë drejtues.

Sipas këtyre burimeve, një nga kombinimet që po shqyrtohet seriozisht është transferimi i ministrit aktual të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, në krye të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, resor që aktualisht udhëhiqet nga Ivan Stoilkoviq.

Në këtë rast, në krye të Ministrisë së Politikës Sociale do të emërohej Abdush Demiri, emër që po përmendet gjithnjë e më shpesh në diskutimet e brendshme rreth riformatimit të kabinetit qeveritar e që aktualisht është nënkryetar i KSHZ-së.

Burimet tona bëjnë të ditur se në kuadër të rikonstruimit pritet të ketë ndryshime edhe në pozicione të tjera të rëndësishme që i takojnë VLEN-it. Në kalkulimet aktuale përfshihet dhe emri i Arben Fetait që sipas informacioneve që disponon Zhurnal, për momentin kanë mbetur dy kandidatë në garë për ta zëvendësuar, derisa ai pritet të emërohet përfaqësues special i vendit në Bruksel. Emrat e tyre janë të njohur për redaksinë tonë, por për shkak të ndjeshmërisë së procesit dhe mungesës së një vendimi përfundimtar, nuk do të publikohen deri në përmbylljen e konsultimeve politike.

Paralelisht me ndryshimet kadrovike, në tavolinë ndodhen edhe propozime për ndryshime resorike.

Sipas burimeve pranë procesit, VLEN pritet të heqë dorë nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa në këmbim të marrë një resor tjetër me peshë më të madhe politike dhe reformuese.

Një nga opsionet është që VLEN të marrë drejtimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ku si zgjidhje po përmendet emërimi i zëvendësministrit aktual në krye të këtij institucioni.

Megjithatë, sipas informacioneve të siguruara nga Zhurnal, brenda strukturave që po negociojnë rikonstruimin ekziston një interes i shtuar që VLEN të marrë Ministrinë e Drejtësisë. Burimet vlerësojnë se ky resor shihet si mundësi për të vendosur fokus më të madh te reformat në sistemin gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi më efikas i shtetit juridik.

Edhe pse vendimet përfundimtare ende nuk janë zyrtarizuar, burimet pranë Qeverisë vlerësojnë se negociatat tashmë po zhvillohen dhe se ditët e ardhshme mund të sjellin epilogun e rikonstruimit, i cili pritet të prekë jo vetëm emra konkretë, por edhe balancën e resorëve brenda koalicionit qeverisës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër