Drejtori i Parkut Kombëtar “Mali Sharr” Evzal Elmazi për vizitë pune në Slloveni dhe Kroaci, forcohet bashkëpunimi rajonal për mbrojtjen e natyrës

Nga Xh M
1,599 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Zagreb/Lubljanë, 1 qershor Zhurnal.mk – Nga 28 deri më 31 maj, një delegacion i Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, i përbërë nga drejtori Evzal Elmazi, Darko Obadiç dhe përfaqësues të institucionit, realizoi një vizitë pune në Slloveni dhe Kroaci me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e mbrojtjes së natyrës.

Vizita u realizua me ftesë zyrtare të Parkut të Peizazhit Kolpa në Slloveni dhe drejtoreshës Vesna Fabjan, me të cilën Parku Kombëtar “Mali Sharr” tashmë ka ndërtuar marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi. Delegacioni mori pjesë në aktivitetin “Në natyrë për natyrën – NarcIS 2026”, ku u mblodhën mbi 70 studiues, ekspertë dhe dashamirë të natyrës nga e gjithë Sllovenia.

Gjatë aktivitetit u zhvilluan ligjërata profesionale dhe prezantime mbi praktikat më të mira në monitorimin e mjedisit, mbrojtjen e biodiversitetit dhe përdorimin e sistemeve moderne të informacionit. Delegacioni pati mundësinë të shkëmbejë përvoja edhe me drejtorin e Parkut Nacional Risnjak të Kroacisë, Mario Antoliç, duke forcuar më tej bashkëpunimin rajonal në sektorin e mbrojtjes së natyrës.

Pjesë e programit ishte edhe vizita në luginat e Radencës dhe Poljanskës, ku pjesëmarrësit u njohën nga afër me trashëgiminë natyrore dhe kulturore të rajonit, si dhe me praktikat lokale për ruajtjen dhe promovimin e saj.

Më 30 maj, delegacioni vizitoi Parkun Nacional Krka në Kroaci, ku u prit nga drejtoresha Nella Slavica. Gjatë takimit u prezantuan organizimi, menaxhimi dhe projektet zhvillimore të parkut, i njohur për ujëvarat spektakolare, biodiversitetin e pasur dhe vlerat e jashtëzakonshme natyrore.

Në kuadër të vizitës, palët ranë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke përfshirë vizita reciproke dhe përgatitjen e një memorandumi bashkëpunimi që pritet të nënshkruhet në të ardhmen.

Nga Parku Kombëtar “Mali Sharr” vlerësojnë se këto vizita janë me rëndësi të veçantë për avancimin e kapaciteteve institucionale, shkëmbimin e njohurive dhe krijimin e partneriteteve të qëndrueshme rajonale, me qëllim mbrojtjen më efikase të natyrës dhe promovimin e vlerave unike natyrore për brezat e ardhshëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër