Mazniku për ATSH: Mungesa e specialistëve në disa bashki problem serioz, kërkohet ushtrim më efikas i kompetencave

Nga D. V.
666 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 02 qershor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të një modeli të qëndrueshëm të qeverisjes vendore, që garanton shërbime më të mira dhe aftësi për të përfituar maksimalisht nga mundësitë që sjell anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Mazniku informoi mbi sfidat që duhet të adresojë reforma e re territoriale, e cila sipas tij, nuk duhet parë thjesht si një ndarje e re në hartë.

Mazniku theksoi se duhet ndërtimi i bashkive më funksionale, më të forta dhe më të përgatitura për sfidat e ardhshme.

Në përmbyllje të fazës së parë të dëgjesave publike në të 12 qarqet e vendit, Mazniku theksoi se “ky proces na ka dhënë një panoramë edhe më të qartë si të arritjeve të reformës së vitit 2014, ashtu edhe të sfidave me të cilat përballet sot pushteti vendor”.

Tashmë 10 vite pas kësaj reforme, sipas tij, mund të bëhet një bilanc i plotë dhe i bazuar në të dhëna konkrete.

“Ky bilanc është pozitiv. Të ardhurat e bashkive janë rritur, investimet janë shtuar, cilësia e shërbimeve është përmirësuar ndjeshëm dhe shumë zona që më parë nuk do të kishin pasur mundësi të përfitonin investime publike, sot i marrin ato. Reduktimi nga 373 njësi vendore në 61 bashki ka forcuar pushtetin vendor, ka ulur kostot administrative dhe ka përmirësuar qëndrueshmërinë financiare të bashkive”, theksoi ai.

Megjithatë, sipas Maznikut, “këto arritje nuk kanë qenë të njëjta në çdo territor”.

Nga njëra anë, sipas tij, kemi bashki që kanë arritur të përfitojnë më shpejt nga potenciali i krijuar nga reforma e vitit 2014, duke rritur investimet, cilësinë e shërbimeve dhe kapacitetet administrative.

Ndërkohë, Mazniku theksoi se në disa bashki të tjera progresi ka qenë më i ngadaltë.

“Pikërisht kjo ecuri e pabarabartë na shtyn sot të analizojmë me kujdes se si mund të krijojmë kushte për një zhvillim më të balancuar dhe për bashki që i përgjigjen me të njëjtën cilësi nevojave të qytetarëve në të gjithë territorin e vendit”, u shpreh ai.

Për Maznikun, asnjë reformë nuk është e përfunduar njëherë e përgjithmonë.

Ndaj sipas tij, pas një dekade, është koha të analizohet me qetësi çfarë ka funksionuar mirë dhe çfarë duhet përmirësuar, në mënyrë që pushteti vendor të jetë më i përgatitur për sfidat e dekadave të ardhshme.

I pyetur mbi sfidat që dalin para komisionit në këtë fazë të punës, Mazniku informoi se tashmë komisioni është në përfundim të dëgjesave publike në territor dhe në Kuvend, ku kanë mbetur edhe tre qarqe aktualisht: Berat, Korçë dhe Tiranë, për të vijuar me fazën tjetër, atë të dëgjesave tematike.

Deri tani, Mazniku theksoi se janë identifikuar disa sfida kryesore që kërkojnë vëmendje.

“E para lidhet me kapacitetet njerëzore dhe administrative. Veçanërisht në bashkitë më të vogla, mungesa e specialistëve mbetet një problem serioz, ndërsa në bashkitë më të mëdha sfida lidhet më shumë me ushtrimin efikas të kompetencave që u jep ligji. Sot një pjesë e bashkive nuk arrijnë ende të ushtrojnë me cilësinë e duhur të gjitha funksionet që u janë besuar”, u shpreh ai.

Sfida e dytë, sipas Maznikut, “është ajo demografike”.

“Shqipëria po përjeton një lëvizje të vazhdueshme të popullsisë nga periferia drejt qendrave urbane. Sot rreth 30% e popullsisë është e përqendruar në qytetet më të mëdha dhe kjo krijon nevoja të reja për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor”, tha Mazniku.

Ndërkohë sfida e tretë lidhet me zhvillimin e balancuar të territorit.

Manziku theksoi se duhen zbutur diferencat mes zonave dhe duhen krijuar më shumë mundësi zhvillimi për çdo komunitet, në mënyrë që çdo bashki të ketë kapacitetet e nevojshme për t’u shërbyer qytetarëve të saj në çdo cep të territorit.

Një dimension tjetër shumë i rëndësishëm, sipas tij, “është përgatitja për anëtarësimin në Bashkimin Europian”.

“Shqipëria synon të mbyllë negociatat në vitin 2027 dhe të anëtarësohet brenda kësaj dekade. Kjo do të thotë se bashkitë duhet të jenë më të afta për të përthithur fondet europiane, veçanërisht fondet e kohezionit dhe fondet strukturore, të cilat do të luajnë një rol vendimtar në zhvillimin e territorit”, tha Mazniku.

I pyetur mbi skenarët e mundshëm për ndarjen e re territoriale, Mazniku informoi se nuk ka ende një model të parapërcaktuar mbi tavolinë.

“Fillimisht duam të përfundojmë procesin e dëgjimit, të analizojmë të dhënat dhe të marrim kontributin e ekspertëve. Vetëm mbi këtë bazë do të arrijmë te vlerësojmë sakte se cilat ndryshime janë të nevojshme për të ndërtuar bashki më funksionale, më të forta dhe më të përgatitura për sfidat e ardhshme”, tha ai.

Për Maznikun, objektiv nuk është thjesht një ndarje e re në hartë.

“Objektivi është të ndërtojmë një model të qëndrueshëm të qeverisjes vendore, që garanton shërbime më të mira, zhvillim më të balancuar dhe aftësi më të madhe për të përfituar maksimalisht nga mundësitë që sjell anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian”, theksoi për ATSH-në bashkëkryetari socialist i komisionit të posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër