Shkup, 2 qershor, Zhurnal.mk – Universiteti Shtetëror i Tetovës gjatë ditëve në vijim duhet të zgjedhë rektorin e ri. Tre kandidatë kanë prezantuar programet dhe platformat e tyre para Komisionit Universitar Zgjedhor, profesorëve dhe studentëve, duke shpalosur vizionin e tyre për drejtimin e institucionit në mandatin e ardhshëm. Ajo që është me rëndësi është fakti se kushdo që të zgjidhet si rektor, duhet të jep kontributin më të madh të mundshëm që ky Universitet të hyj në listen e universiteteve më të mira në botë si ajo e “Global 200” apo lista e Shanghait, shkruan “Zhurnal.mk”.
Kush janë tre kandidtatët për rektor të USHT-së?
Në garën për postin e rektorit të USHT-së janë profesorët Kushtrim Ahmeti, Fehari Ramadani, si dhe rektori aktual, Jusuf Zejneli, i cili kërkon një mandat të ri.
Kandidati Kushtrim Ahmeti platformën e tij e bazohet në moton “Dije, cilësi dhe zhvillim”, duke synuar ndërtimin e një universiteti modern të bazuar në dije dhe standarde të matshme cilësie.
Kandidati Fehari Ramadani vuri theksin te bashkëpunimi ndëruniversitar, si në hapësirën shqiptare ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Ai bëri të ditur se programi i tij përbëhet nga nëntë pika kryesore, ku një vend të rëndësishëm zë ndërkombëtarizimi i universitetit.
Ndërkohë, rektori aktual Jusuf Zejneli, duke prezantuar rezultatet e mandatit të tij, kërkoi mbështetje për një mandat të ri, me premtimin për vazhdimin e projekteve ekzistuese dhe realizimin e iniciativave të reja zhvillimore.
Asnjë Universitet nga Maqedonia e Veriut në listën “Global 2000”
Ministrat ndryshojnë, rektorët ndryshojnë, por cilësia e arsimit të lartë në universitetet e Maqedonisë së Veriut po bien në mënyrë të pandalshme. Sivjet nuk ka asnjë përfaqësues nga vendi ynë në listën më të re botërore “Global 2000”, të publikuar nga Qendra për Renditjen e Universiteteve Botërore (CWUR).
Renditja u bë nëpërmjet një analize të detajuar të deri në 81 milionë të dhënave specifike, pa u mbështetur në anketa ose raporte subjektive nga vetë institucionet.
Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, rajoni është në një pozicion të qëndrueshëm. Renditjen më të mirë nga vendet e ish-Jugosllavisë e mban Universiteti i Beogradit, i cili ndodhet në vendin e 393-të. Serbia dominon zonën përreth me tre përfaqësues të tjerë (Novi Sad, Kragujevac dhe Nish). Kroacia ka tre përfaqësues të saj, të udhëhequr nga Universiteti i Zagrebit (vendi i 522-të), ndërsa Sllovenia ka dy, ku Universiteti i Lubjanës është në pozicionin e 444-të.
Fatkeqësisht në këtë listë nuk ka asnjë universitet shqiptarë, qoftë nga Shqipëria apo Kosova.
Në nivel Global, Universiteti i Harvardit mbetet lideri absolut. Shtetet e Bashkuara kanë tetë përfaqësues në 10 vendet e para, por Kina këtë vit kryeson për sa i përket numrit të përgjithshëm të institucioneve (360) në dy mijë vendet e para, përpara shteteve federale (313).
Rezultate të shkëlqyera shënojnë edhe Japonia me 102 universitete, Mbretëria e Bashkuar me 89 (ku Kembrixhi është universiteti më i mirë publik në botë) dhe Franca me 71 përfaqësues.
Vlerësimi kryhet sipas katër shtyllave kryesore: cilësia e arsimit (25%), punësimi i të diplomuarve (25%), cilësia e stafit mësimdhënës (10%) dhe puna kërkimore shkencore (40%).
Arsimi po shkatërrohet çdo ditë e më shumë
Sistemi i arsimit në përgjithësi po shkatërrohet, e kjo po vërehet më së shumti në arsimin e lartë. Ky nivel i arsimit është hallka kulmore e sistemit arsimor, dhe për nga rëndësia kërkon trajtim dhe shtjellim permanent, për shkak se është përcaktues dhe matës i zhvillimit të një vendi dhe një shoqërie në përgjithësi.
Gjendja në arsimin e lartë është e keqe. Ajo karakterizohet dhe dominohet nga komponenti sasior përkundër atij cilësor.
Fatkeqësisht në Maqedoninë e Veriut ka një numër të madh të institucioneve arsimore. Gjashtë universitete janë publike, një është privato-publik dhe mbi 20 universitete, kolegje e fakultete tjera janë private.
Edhe ato pak universitete ose fakultete të caktuara që bëjnë përpjekje dhe ende po ia dalin me sukses të ruajnë dhe çojnë përpara cilësinë janë të sfiduara nga shumica dërmuese që prodhon diploma dhe jo dije.
Mos të flasim për studentët, të cilët që në momentin që regjistrohen në fakultet, thuajse hyjnë pa asnjë meritë, dhe të tillë, pa asnjë meritë kalojnë më tutje dhe dalin si të diplomuar.
Prandaj, me rëndësi është që rektorët por edhe të gjithë hallkat e sistemit të arsimit të ndryshojnë, sepse kështu i lamë “sakatë” dhe të paralizuar gjeneratat e reja. Tregu i punës kërkon dije e jo diploma, prandaj vijmë në situatë kur të diplomuar nuk janë të aftë të kryejnë asnjë punë profesionale.
Arsimi është amanet që duhet të ruhet me kujdes, prandaj secili rektor që do të zgjidhet duhet të rritë kriteret dhe të kërkojë kualitet e jo kuantitet. Ka ikur koha kur shqiptarëve iu duheshin diploma, tani duhet cilësi. Vetëm më i miri të kalojë, sepse jemi bërë turpi i botës, me plot diploma e aspak dituri!, shkruan “Zhurnal.mk”.
