Hoxha në Belgjikë: Zgjerimi i BE-së, domosdoshmëri gjeopolitike dhe investim strategjik për Evropën

Nga D. V.
1,065 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 02 qershor, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ishte në Belgjikë, ku mori pjesë në një diskutim përmbajtësor mbi temën “Zgjerimi i BE-së: Një këndvështrim shqiptar” në Institutin Mbretëror për Marrëdhënie Ndërkombëtare – Egmont.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se në aktivitet morën pjesë ekspertë, diplomatë, politikëbërës dhe përfaqësues të instituteve kërkimore, me të cilët u diskutua mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian si një domosdoshmëri gjeopolitike dhe një investim strategjik për të ardhmen e Evropës.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është e pandashme nga e ardhmja e vetë Evropës. Një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm, i sigurt, demokratik dhe plotësisht i integruar është thelbësor për aftësinë e Evropës për të qenë e besueshme gjeopolitikisht, e rëndësishme strategjikisht dhe rezistente përballë një mjedisi ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks”, theksoi Hoxha.

Hoxha vlerësoi se, në rastin e Shqipërisë, procesi i anëtarësimit në BE është dëshmuar si katalizatori më i fuqishëm i transformimit, duke nxitur modernizimin institucional, forcimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e qeverisjes demokratike, përmirësimin e administratës publike dhe avancimin e zhvillimit ekonomik.

“Ai ka forcuar gjithashtu përputhjen e plotë të Shqipërisë me vlerat, politikat dhe objektivat strategjikë që përcaktojnë projektin evropian”, u shpreh Hoxha.

Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së një procesi zgjerimi të besueshëm, të parashikueshëm dhe të bazuar në meritë, një proces që shpërblen përpjekjet e vërteta reformuese dhe sjell progres të prekshëm si për vendet kandidate, ashtu edhe për Bashkimin Evropian.

“Shkëmbime të tilla janë të rëndësishme për nxitjen e dialogut strategjik, forcimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe ndërtimin e konsensusit të gjerë politik e intelektual që nevojitet për të avancuar drejt një Evrope më të fortë, më të bashkuar dhe më të sigurt. Ato janë po aq të rëndësishme për të mbajtur gjallë një debat të hapur dhe të informuar mbi të ardhmen tonë të përbashkët, duke ndihmuar në komunikimin e vlerës strategjike të zgjerimit dhe integrimit evropian si në vendet kandidate, ashtu edhe në shtetet anëtare”, u shpreh Hoxha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër