Tiranë, 02 tetor, Zhurnal.mk – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu së bashku me drejtuesin politik të Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Taulant Balla, zhvilluan një vizitë në Shtëpinë e të Moshuarve “Sefer Dervishi” në Kavajë, ku u takuan dhe biseduan me të moshuarit që jetojnë në këtë qendër.
Spahiu u shpreh se pas çdo historie të të moshuarve qëndron një jetë me sakrifica, kujtime dhe kontribute, duke theksuar nevojën për t’u kushtuar atyre kujdes dhe vëmendje të vazhdueshme.
“Kjo është një ditë që i kushtohet nënave dhe baballarëve. Pra është Dita e të Moshuarve dhe keni gjithë vëmendjen tonë. Dhe unë ju garantoj që bashkë me drejtorin, bashkë me Taulantin do të bëjmë të mundur që këtë qendër të kemi mundësi ta restaurojmë për të pasur kushte edhe më të mira për ju”, u shpreh Spahiu.
Drejtuesi i Shtëpisë së të Moshuarve në Kavajë bëri të ditur se aktualisht në qendër jetojnë 63 banorë, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin me Shërbimin Social.
“Për hir të së vërtetës, ndihmesa e Shërbimit Social ka qenë në nivele shumë të kënaqshme. Për çdo nevojë të vogël dhe të madhe, ne i kemi diskutuar dhe i kemi çuar me Shërbimin Social”, tha ai.
Ministrja Spahiu theksoi se kujdesi ndaj të moshuarve është një përgjegjësi e përbashkët dhe garantoi ndërhyrjen për përmirësimin e kushteve të qendrës.
“U largova prej tyre me shumë mbresa, por edhe me një angazhim të qartë: të rikthejmë dinjitetin e banesës së tyre, përmes restaurimit dhe përmirësimit të kushteve, që kjo shtëpi të jetë më e ngrohtë, më e përshtatshme dhe më dinjitoze për ta”, tha Spahiu.
Balla vlerësoi bashkëpunimin mes strukturave të Shërbimit Social dhe qendrës së të moshuarve, duke kërkuar që restaurimi i saj të përfshihet në buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Gjëja e mirë dhe lajmi i mirë është që këtu në këtë qendër bashkëpunimi mes Shërbimit Social që i përket qeverisë qendrore dhe qendrës që i përket qeverisjes vendore është shumë i mirë. Por tani, detyra jote e dashur Klodi, se të kam shoqe prej shumë vitesh, është që në buxhetin e vitit të ardhshëm të na planifikosh një investim në këtë qendër. Do t’i bashkojmë forcat bashkë, se ti e di që po t’i bashkojmë forcat bashkë i arrijmë, bashkë edhe me deputetin”, tha Balla.
Vizita u zhvillua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, me fokus te kujdesi, vëmendja dhe përmirësimi i kushteve të jetesës së të moshuarve në qendrat rezidenciale.
