Pacientët nuk luftojnë vetëm me kancerin, por edhe me vetminë

Nga Xh M
882 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 qershor – Pacientët onkologjikë çdo ditë zhvillojnë një betejë të vështirë me sëmundjen, por shumë prej tyre përballen paralelisht edhe me vetminë, varfërinë dhe mungesën e mbështetjes nga njerëzit më të afërt. Për këtë paralajmëron një infermiere nga Klinika e Onkologjisë, e cila përmes një postimi emocional në rrjetet sociale ka hapur temën e sfidave me të cilat përballen pacientët jashtë dhomave të spitalit.

“Pacientët onkologjikë nuk luftojnë vetëm kundër sëmundjes. Shumë shpesh ata përballen edhe me varfërinë, vetminë dhe mungesën e mbështetjes nga ata prej të cilëve presin më së shumti”, shkruan ajo.

Në postimin e saj, ajo thekson se gjatë viteve të punës ka qenë dëshmitare e shumë historive njerëzore, ku pacientët, përveç trajtimit mjekësor, janë përballur edhe me rrethana të vështira jetësore. Disa prej tyre mendonin se si të siguronin para për trajtim, transport apo nevoja bazike të jetës, ndërsa të tjerë mbeteshin të vetëm në momentet më të vështira të jetës së tyre.

“Ka pacientë që vijnë vetëm. Ka pacientë që me një shikim tregojnë më shumë se me të gjitha fjalët – se në shtëpi nuk kanë askënd që t’i pyesë si janë, askënd që t’u mbajë dorën dhe t’u thotë: ‘Do të kalojë, jam këtu për ty’”, thekson infermierja.

Ajo paralajmëron se opinioni publik më së shumti flet për pacientët onkologjikë përmes numrave, statistikave dhe terapive, ndërsa shumë më rrallë për betejën e tyre emocionale dhe sociale. Sipas saj, rrallë flitet për njerëzit që, përveç diagnozës, përballen edhe me braktisje, moskuptim dhe mungesë mbështetjeje pikërisht atëherë kur u nevojitet më shumë.

“Varfëria dhe sëmundja janë një kombinim i pamëshirshëm. Kur një diagnoze i shtohet edhe mungesa e kushteve bazike për jetë, atëherë pacienti nuk humbet vetëm forcën fizike – ai humbet edhe besimin se dikush e sheh, e dëgjon dhe e kupton”, shkruan ajo.

Në mesazhin e saj, infermierja bën thirrje për më shumë njerëzi, mirëkuptim dhe praninë pranë njerëzve që përballen me sëmundje të rënda.

“Pacientët onkologjikë nuk kërkojnë mëshirë. Ata kërkojnë dinjitet, mirëkuptim dhe mbështetje. Kërkojnë të mos lihen vetëm ndërsa zhvillojnë betejën më të vështirë të jetës së tyre”, porosit ajo.

Postimi ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët, përfshirë familjarë të pacientëve onkologjikë, por edhe persona që vetë kanë kaluar procesin e trajtimit. Në komentet e tyre, shumë prej tyre kanë shprehur mirënjohje për personelin mjekësor të Klinikës së Onkologjisë, duke theksuar se pikërisht infermierët dhe mjekët janë shpesh ngushëllimi i vetëm për pacientët në momentet më të vështira.

Një pjesë e komentuesve rikujtuan edhe sfidat e përditshme me të cilat përballen pacientët që udhëtojnë nga qytete të tjera, presin me orë të tëra për terapi dhe luftojnë jo vetëm me sëmundjen, por edhe me ndjenjën e vetmisë dhe pasigurisë.

“Beteja më e vështirë nuk është gjithmonë kundër sëmundjes, por kundër vetmisë”, thuhet në një nga komentet që mori mbështetjen më të madhe, ndërsa të tjerë theksuan se dashuria, prania dhe mbështetja e familjes janë shpesh po aq të rëndësishme sa edhe vetë terapia.

Shumë qytetarë shfrytëzuan rastin për t’u shprehur mirënjohje infermierëve dhe mjekëve, duke i përshkruar si “drita shprese” dhe njerëz që çdo ditë i ndihmojnë pacientët të ruajnë shpresën dhe dinjitetin në momentet më të vështira të jetës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër