Nga Meidani, Dokle, Leskaj dhe figurat e reja/ PS vlerëson me medalje ari ”Gardën e Vjetër” për 35-vjetorin

Nga Xh M
746 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 2 qershor Zhurnal.mk – 35-vjetori i PS në Tiranë, u festua edhe me dekorata. Mes të vlerësuarve me medalje ari ishin figura si ish-presidenti, Rexhep Mejdani, kryetari i parë i grupit parlamentar të PS, Namik Dokle, ish-kryeministri Ylli Bufi, ish kryetarë të PS në Tiranë, Musa Ulqini, Halil Lalaj dhe Besnik Baraj si dhe ish deputetë e themelues të PS, Valentina Leskaj, Anastas Agjeli, Hamdi Jupe, Maqo Lakrori, Luan Shaullari dhe Sajmira Pino.

Rexhep Meidani u vlerësua me medalje të artë, i cili në detyrën e presidentit spikati dhe solli në politikë maturinë e akademikut, seriozitetin e shtetarit dhe besimin tek institucionet. Sot e nderojmë kontributin e tij të shquar në zhvillimin e demokracisë. “Uroj që PS ta çojë Shqipërinë në modelet që kemi në vendet nordike, që edhe senatori i famshëm amerikan Bernie Sanders kërkon ta zhvillojë në Amerikë, dhe ne e dëshirojmë në Shqipëri”, tha ish presidenti Meidani.

Ethem Ruka, ish deputet i PS në 5 legjislatura dhe ish ministër mori medaljen e artë për kontributin e tij në themelimin e PS. “Kjo sallë sot është shumë e bukur. Nuk e di sa emocione kemi ndarë në këtë sallë nga 1991 deri sot. Shumë faleminderit socialistëve të Tiranës që vlerësojnë figura të guximshme në vitet e vështira dhe ngritën këtë forcë politike progresiste që solli Shqipërinë këtu ku është sot”, tha ish deputeti i PS Ethem Ruka. Namik Dokle, kryetari i parë i grupit parlamentar të PS u vlerësua gjithashtu me medalje nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, për kontributin e tij në fillimet e PS. Ylli Bufi, u vlerësua gjithashtu me medalje të artë si një figurë e rëndësishme e tranzicionit në Shqipëri sidomos për rolin e tij në stabilizimin institucional në vitin 91 dhe në proceset e para të reformave ekonomike si kryeministër.

Valentina Leskaj deputete e PS për 4 legjislatura dhe ish-kryetare e grupit parlamentar të PS u vlerësua me medalje nga ministrja Adea Pirdeni, për modelin dinjitoz të gruas në politikë shqiptare. “Ndjehem e nderuar të jem këtu me socialistët e Tiranës që i kanë dhënë tonin PS në gjitha Shqipërinë gjatë gjitha kohërave. PS është sot forca më e madhe dhe e fuqishme në Shqipëri, ka një mandat të fortë padyshim falë punës së socialistëve, por edhe falë shqiptarëve që nuk janë këtu, ama kontribuuan me votën e tyre”, tha ish kryetarja e grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj.

Besnik Baraj u vlerësua nga Fatmir Xhafaj me medalje të artë, për kontributin e tij si drejtues për vite të tëra i PS në Tiranë si dhe si deputet për disa legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë. Hamdi Jupe u vlerësua me medalje nga ministri i Turizmit, Blendi Gonxhe, një ndër themeluesit e PS, i angazhuar në një nga sektorët më të vështirë të tranzicionit, atë të medias. Anastas Anxheli medaljen e mori nga kolegu i tij në komisionin e Ekonomisë, Erion Braçe për kontributin e tij për ekonominë shqiptare. Me medalje të artë u vlerësua edhe Maqo Lakrori, për kontributin e tij si themelues i PS dhe si deputet i kuvendit në 3 legjislatura, kryesisht në fushën e arsimit të lartë.

Halil Lalaj, kryetari i parë i PS në Tiranë mori medaljen e artë nga deputetja socialiste Anila Denaj, për kontributin e tij në forcimin e organizimit politik dhe përfaqësimit të vlerave të PS. Deputetja Iris Luarasi i dha medaljen e artë Musa Ulqinit, një ndër themeluesit e PS dhe deputet i PS për 7 legjislatura, për kontributin e tij në ditët më të vështira të PS. Luan Shaullari, themelues i PS, u vlerësua me medaljen e artë nga deputeti Igli Hasani për kontributin e tij në forcimin e administratës publike, menaxhimin finjanciar dhe transparencën e institucioneve. Sajmira Pino medaljen e mori nga ish-ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, për kontributin e saj në organizimin e grave socialiste dhe rritjen e rolit të tyre në politikë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër