Pendarovski konfirmon se në Vodno u diskutua edhe për Gruevskin: Ju thashë se nuk kam ndërmend ta fal

Nga Xh M
1,154 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 qershor Zhurnal.mk – Ish-presidenti Stevo Pendarovski ka konfirmuar publikisht se në vilën presidenciale në Vodno është zhvilluar një takim mes përfaqësuesve të atëhershëm të udhëheqjes shtetërore dhe politike, si dhe ambasadorëve më me ndikim në vend, ku është diskutuar edhe për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski.

Siç theksoi Pendarovski, ai kishte bërë të qartë se nuk kishte ndërmend ta falte Gruevskin në asnjë variant, duke shtuar: “Nëse dëshironi aq shumë një ligj për amnisti, në Parlament keni shumicë të mjaftueshme, vazhdoni…”. Njëkohësisht, ai shpjegoi se një i punësuar në kabinetin e tij, i afërt me të ashtuquajturin “grupi i zjarrit” në BDI, kishte incizuar një pjesë të fjalimit të Ali Ahmetit, ndërsa përmendi edhe Blerim Bexhetin, duke e cilësuar të gjithë situatën si kontroverse, pasi Bexheti më vonë u rikthye në BDI.

Pikërisht për këto detaje kishte shkruar revista “Fokus” që në fund të vitit 2024.

Kur “Fokus” publikoi para afro dy vitesh një storie me detaje ekskluzive nga operacioni i pasuksesshëm i qeverisë së atëhershme të LSDM-së dhe BDI-së për rikthimin në vend të ish-kryeministrit dhe ish-liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, pothuajse të gjithë pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në këtë projekt politik vendosën të heshtin, me përjashtim të disa përfaqësuesve të BDI-së.

Për kujtesë, nënkryetari aktual i BDI-së, Bujar Osmani, në përpjekje për të relativizuar informacionet e publikuara, kishte deklaruar se teksti i ngjante më shumë një skenari për një serial të Netflix-it sesa një ngjarjeje reale. Reagoi edhe deputeti aktual dhe ish-kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, i cili përmendej në një kontekst specifik.

Sipas informacioneve të siguruara nga disa burime, në vilën presidenciale në Vodno ishte zhvilluar një takim ku kishin marrë pjesë Stevo Pendarovski, Dimitar Kovaçevski, Ali Ahmeti, Bojan Mariçiq, Artan Grubi, Angela Aggeler dhe David Geer. Në takim, Ahmeti kishte theksuar se Gruevski mund të kthehej në vend në dy mënyra – përmes faljes nga presidenti ose përmes gjykatave.

Siç kishte raportuar “Fokus” në fund të vitit 2024, kjo kishte qenë pjesa më sensitive e takimit, e cila ishte komprometuar nga një administrator i punësuar sipas Marrëveshjes së Ohrit, i afërt me degën e BDI-së në Saraj, ku për vite me radhë figurë kyçe ishte Blerim Bexheti. Gjatë zhvillimit të takimit, ai kishte hyrë në kabinën e përkthyesit dhe kishte arritur të incizonte bisedën me telefon.

Sipas raportimit, përmbajtja e incizimit kishte përfunduar në VMRO-DPMNE-në e atëhershme opozitare, të udhëhequr nga Hristijan Mickoski, pasi në atë kohë “grupi i zjarrit” ishte në konflikt me Artan Grubin, Bujar Osmanin dhe vetë Ali Ahmetin.

Pikërisht për këtë pjesë reagoi Blerim Bexheti, madje paralajmëroi edhe padi për shpifje. Megjithatë, padi nuk u ngrit asnjëherë.

Me kalimin e kohës, një pjesë e pjesëmarrësve në këto bisedime për rikthimin e Gruevskit, të zhvilluara në kontekstin e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë dhe hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, i konfirmuan publikisht informacionet e publikuara.

Njëri prej tyre është vetë Pendarovski, i cili në një intervistë për “360 Gradë”, por edhe më herët në podkastin “Politikanti”, konfirmoi se një takim i tillë ishte mbajtur dhe se në të ishte diskutuar për Gruevskin.

Duke folur për rastin e rrjedhjes së informacionit nga kabineti i tij, Pendarovski tha:

“Bëhej fjalë për një të punësuar në kabinet që ishte pjesë e grupit të zjarrit, që më vonë u bë bërthama e koalicionit VLEN. Duke parë se në takim po vinte edhe Ali Ahmeti, ai arriti të incizonte disa pjesë të fjalimit të Ahmetit nga kabina e përkthyesit, me qëllim që ato të përdoreshin politikisht kundër palës tjetër brenda BDI-së. Më pas ai u largua nga kabineti.”

I pyetur nëse ai ishte suspenduar apo ishte kthyer te Blerim Bexheti në Saraj, Pendarovski u përgjigj se rasti ishte trajtuar si shkelje e rëndë disiplinore e marrëdhënies së punës.

“Ai u kthye atje dhe kaq. Të mos tingëllojë si shaka, por këtu qëndronte edhe ironia. Bexheti në atë kohë ishte pjesë e grupit të zjarrit, ndërsa më vonë u kthye në BDI. Ishte një situatë mjaft kontradiktore”, deklaroi ai.

Pendarovski shpjegoi gjithashtu rrjedhën e diskutimeve për rikthimin e Gruevskit, duke theksuar se që në fillim kishte refuzuar kategorikisht mundësinë për ta falur.

“Në atë moment Gruevski kishte tashmë dy aktgjykime të formës së prerë dhe mund të kthehej vetëm në dy mënyra – nëse unë e falja ose nëse miratohej një ligj për amnisti në Kuvend. Që në fillim të takimit thashë se po dëgjoj spekulime se unë duhet ta fal Gruevskin, sepse kështu ai do të kthehej më shpejt, do të bindte një numër deputetësh të VMRO-DPMNE-së dhe do të sigurohej shumica për ndryshimet kushtetuese.

Unë thashë qartë: askush të mos llogarisë në këtë. Nuk kam ndërmend ta fal Gruevskin në asnjë variant. Nëse dëshironi ligj për amnisti, keni shumicë të mjaftueshme në Parlament dhe vazhdoni me atë procedurë.

Takimi kishte të bënte me mënyrën se si të arriheshin ndryshimet kushtetuese. Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, Angela Aggeler dhe David Geer, jepnin propozime ose bënin pyetje se si mund të arrihej më lehtë deri te ajo zgjidhje”, deklaroi Pendarovski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër