BDI: Maqedonia jashtë udhërrëfyesve të BE-së, përgjegjësia është e Qeverisë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 tetor, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me procesin e integrimit evropian të vendit, duke kritikuar Qeverinë për mungesë progresi dhe duke kërkuar sqarime për arsyet pse Maqedonia e Veriut nuk është përfshirë në listën e vendeve për të cilat, sipas partisë, Komisioni Evropian do të përgatisë udhërrëfyes për anëtarësim.

Në komunikatën e saj, BDI thekson se Shqipëria, Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina janë përfshirë në këtë proces, ndërsa Maqedonia e Veriut ka mbetur jashtë.

“Dikur ishim të parët në rajon. Sot të gjithë ecin përpara, ndërsa ne mbetemi në vend”, thuhet në reagimin e partisë.

Sipas BDI-së, kjo situatë është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të Qeverisë aktuale, e cila, sipas saj, gjatë dy viteve të fundit nuk ka arritur të ofrojë zgjidhje konkrete për avancimin e procesit të integrimit evropian.

Nga kjo parti pretendojnë se, në vend të përparimit, vendi është përballur me arsyetime politike, konflikte dhe akuza ndaj të tjerëve.

BDI paralajmëron se vonesat mund të kenë pasoja për perspektivën evropiane të vendit, duke theksuar se shtetet e përfshira në proces mund të përfitojnë plane më të qarta, afate konkrete dhe qasje më të madhe në fondet dhe tregun evropian.

Në këtë kontekst, partia kërkon nga Qeveria që t’u japë qytetarëve përgjigje për tri çështje kryesore: pse Maqedonia e Veriut ka mbetur jashtë këtij procesi, cili është plani për të ardhmen dhe çfarë kostoje do të ketë për vendin bllokimi i integrimit evropian.

“Përgjegjësia është e Qeverisë. E morën një shtet me proces të hapur dhe po e lënë pa rrugë, pa afat dhe jashtë hartës së zgjerimit”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Partia e përmbyll reagimin me vlerësimin se, ndërsa vendet e tjera të rajonit po avancojnë drejt Bashkimit Evropian, Maqedonia e Veriut po mbetet prapa për shkak të politikave të Qeverisë aktuale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër