Prishtinë, 03 qershor, Zhurnal.mk – Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja ka marr pjesë në hapjen e Forumit Rajonal për Politikat Bujqësore APF 2026, i cili po mbahet në Prishtinë dhe ka mbledhur përfaqësues të institucioneve, organizatave ndërkombëtare, Bashkimit Evropian dhe ekspertë të sektorit bujqësor nga rajoni.
Muja këtë e bëri të ditur përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook duke shtuar se për Kosovën, përafrimi me Bashkimin Evropian mbetet korniza qendrore që udhëheq reformat e tyre në bujqësi dhe zhvillim rural.
“Ne nuk e konsiderojmë integrimin evropian vetëm si një detyrim, por si një parim udhëzues për transformimin e bujqësisë sonë dhe për forcimin e mbështetjes ndaj fermerëve. Në të njëjtën kohë, ndryshimet klimatike po kanë ndikim gjithnjë e më të madh tek fermerët tanë. Prandaj, po investojmë në rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemeve të ujitjes, si një nga masat më të rëndësishme për të rritur qëndrueshmërinë e sektorit bujqësor dhe për të garantuar prodhim më të sigurt dhe më konkurrues”, ka shkruar ai.
