Vilnus, 3 qershor Zhurnal.mk – NATO ka nisur manovrën e saj të përvitshme detare “BALTOPS” në Detin Baltik, me pjesëmarrjen e më shumë se 30 anijeve nga 15 vende dhe rreth 6 000 ushtarakëve, njoftoi sot marina gjermane.
Manovra ushtarake dyjavore ka nisur nga porti polak i Gdynia-s dhe drejtohet nga marina e SHBA-së. Ajo do të përfundojë në qytetin portual gjerman, Kiel.
Gjermania merr pjesë me fregatën “Sachsen-Anhalt”, dhe anijet “Braunschweig” dhe “Erfurt”, nëndetësen U34 si dhe një avion patrullimi detar.
Sipas zëvendësadmiralit Stephan Haisch, të gjitha njësitë e përfshira, do të kontribuojnë në forcimin e pranisë detare të NATO-s, duke përdorur anije, mjete ajrore detare dhe sisteme pa pilot.
Fokusi kryesor i manovrës, është garantimi i lirisë së lundrimit në Detin Baltik dhe demonstrimi i aftësive parandaluese të aleancës.
Deti Baltik konsiderohet me rëndësi të veçantë strategjike, kryesisht në kontekstin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Rusia është i vetmi vend nga nëntë shtetet bregdetare të Baltikut, që nuk është anëtar i NATO-s.
Manovra “BALTOPS” ka nisur që në periudhën e Luftës së Ftohtë dhe synon të sigurojë aftësinë e forcave detare të NATO-s, për të operuar lirshëm në Baltik, duke penguar njëkohësisht, hyrjen e forcave kundërshtare drejt Detit të Veriut dhe Oqeanit Atlantik.
