Parlamenti Evropian përsëri thërret Maqedoninë e Veriut të përmbushë kushtin e imponuar nga Bullgaria të BE-së për hapjen e negociatave

Nga R.ZH
1,112 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel/Shkup, 4 qershor, Zhurnal.mk – Komiteti për Punë të Jashtme (AFET) i Parlamentit Evropian, në një draft-raport të miratuar dje, ka përsëritur thirrjen ndaj institucioneve të Maqedonisë së Veriut që ta përfshijnë komunitetin bullgar në Kushtetutë, kusht i vendosur nga Bullgaria dhe i mbështetur nga 26 shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian, e i pranuar nga koalicioni i mëparshëm qeverisës në Shkup para katër vitesh, kusht ky për zhbllokimin e bisedimeve të anëtarësimit të vendit në BE, raporton dtt-net.com, transmeton Zhurnal.mk.

Teksti i AFET-it i miratuar me 43 vota pro, 17 kundër dhe 13 abstenime, thotë se “të gjithë faktorët politikë që janë të përkushtuar ndaj rrugës evropiane të vendit duhet urgjentisht të bashkojnë forcat për të zbatuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese, të cilat do të mundësojnë hapjen e grupit të parë të kapitujve negociues”.

Dy ditë më parë, Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa përsëriti thirrjen e vjetër në Shkup, në një konferencë për shtyp me kryeministrin konservator Hristijan Mickoski, i cili refuzon të japë votat e partisë së tij në Parlament për të bërë ndryshimet kushtetuese të imponuara në korrik 2022 nga BE-ja dhe të dakordësuara nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga partia socialdemokrate LSDM dhe partnerja e saj Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

“Miratimi i amendamenteve kushtetuese të dakorduara mbetet hapi i domosdoshëm për fillimin formal të negociatave të anëtarësimit. Kjo është mënyra e vetme për të zhbllokuar përfitimet e plota të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për popullin e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Costa.

“Ju duhet të përmbushni atë që është rënë dakord dhe asgjë më shumë se ajo që është rënë dakord, kjo do të thotë se ajo që u ra dakord në vitin 2022 ne [ju] duhet ta përmbushni”, shtoi ai.

Për ndryshimet kushtetuese nevojitet shumicë prej dy të tretash në Kuvendin me 120 deputetë. Por, VMRO-DPMNE e kryeministrit Mickoski refuzon t’i japë votat e saj, nga frika se Bullgaria të përdorë sërish të drejtën e vetos gjatë procesit negociues dhe të sulmojë identitetin dhe gjuhën maqedonase, meqë bullgaria refuzon që t’i njehë të dyat, dhe e trajton gjuhën maqedonase si derivat thë gjuhës bullgare.

Nga ana tjetër, Mickoski ka paraqitur dy kundër-kushte të tij.Ai kërkon respektimin e të drejtave të komunitetit maqedonas në Bullgari dhe garanci zyrtare nga Bullgaria dhe Bashkimi Evropian se nuk do të ketë kërkesa shtesë nga Sofja lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase gjatë negociatave të anëtarësimit.

Javën e kaluar, LSDM-ja propozoi mbajtjen e një referendumi për ndryshimet kushtetuese, por kjo ide u refuzua nga kryeministri Mickoski.

Në draft-raportin e djeshëm, anëtarët e AFET-it shprehin shqetësim për progresin “e pamjaftueshëm” në pavarësinë gjyqësore dhe përpjekjet kundër korrupsionit, duke paralajmëruar se korrupsioni mbetet “i përhapur” në shumë fusha dhe tregojnë për hendekun midis hetimeve të shpallura dhe dënimeve përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. / Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër