Von der Leyen: Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë punë të mirë në rrugën drejt anëtarësimit në BE

Nga D. V.
539 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tivat, 05 qershor, Zhurnal.mk – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë punë shumë të mirë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në prag të fillimit të samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivat.

“Edhe Mali i Zi dhe Shqipëria po bëjnë punë shumë të mirë dhe janë afër qëllimit”, tha Von der Leyen.

Ajo iu referua procesit të zgjerimit të BE-së, për të cilin do të diskutohet me liderët e Ballkanit Perëndimor në samit, duke thënë se “BE-ja po i hap dyert, kandidatët duhet të përmbushin reformat. Me reformat vijnë investimet dhe kjo është pjesa e parë e diskutimeve të sotme”.

“Procesi i zgjerimit duhet të jetë më i shpejtë dhe kredibil”, tha zyrtarja evropiane duke folur për hapat e ardhshëm të Bashkimit Evropian lidhur me vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor. Ajo shtoi se ky proces në vendet kandidate duhet të jetë “më i dukshëm” në mënyrë që “t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre përfitimet e zgjerimit”, të cilat nënkuptojnë “më shumë siguri dhe përparim”.

Samiti i liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor mbahet më 4 dhe 5 qershor në Tivat të Malit të Zi nën sloganin “Prosperiteti i përbashkët dhe stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor” ndërsa tema kryesore e samitit do të jetë zgjerimi i BE-së.

Mbledhja drejtohet nga presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, i cili këtë javë zhvilloi një turne në vendet e rajonit. Pritës i samitit është presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ndërsa do të marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Siç njofton Komisioni Evropian, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së do të diskutojnë për zgjerimin dhe Planin e Rritjes. Pritet që BE-ja të rikonfirmojë përkushtimin e plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor.

Samiti është pjesë e zbatimit të agjendës së Këshillit Evropian 2024-2029. Samitet BE–Ballkani Perëndimor mbahen që nga viti 2018, ndërsa i fundit u mbajt në Bruksel në dhjetor 2025.

Mali i Zi ka angazhuar rreth 1.500 policë që kujdesen për sigurinë e pjesëmarrësve të samitit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër