Uashington, 05 qershor, Zhurnal.mk – Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi dje në mbrëmje një paketë të gjerë ndihme për Ukrainën dhe sanksione ndaj Rusisë, duke rikonfirmuar njëkohësisht angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj aleancës së NATO-s.
Projektligji, i paraqitur nga demokratët, u miratua me 226 vota pro dhe 195 kundër, me mbështetjen e gati 20 ligjvënësve nga Partia Republikane e presidentit Donald Trump.
Ky zhvillim rrit presionin mbi Trump, i cili së fundmi ka shprehur qëndrime kritike ndaj NATO-s dhe nuk ka mbajtur një pozicion të qartë në lidhje me Ukrainën, e cila u sulmua nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Ligji duhet të miratohet edhe nga Senati, dhoma tjetër e Kongresit amerikan, përpara se t’i dërgohet presidentit për nënshkrim. Megjithatë, Trump mund të vërë veton.
Votimi e vendos presidentin në një situatë të ndjeshme politike, pasi vendosja e vetos do ta përballte atë me kundërshtime brenda vetë partisë së tij.
Republikanët kanë shfaqur, së fundmi divergjenca me disa politika të Shtëpisë së Bardhë, në prag të zgjedhjeve afatmesme të Kongresit në nëntor, kur partia në pushtet synon të ruajë shumicën e ngushtë në të dy dhomat.
Thirrje për tërheqjen e Rusisë nga Ukraina
Projektligji dënon “në termat më të fortë të mundshëm” krimet e luftës të Rusisë dhe kërkon tërheqjen e menjëhershme dhe pa kushte të forcave ruse nga territori ukrainas, përfshirë Krimenë dhe rajonet e Donetskut dhe Luhanskut në lindje të vendit, të njohura si Donbasi.
Ai thekson se çdo negociatë duhet të bazohet në sovranitetin e Ukrainës dhe nuk mund të diktohet nga Rusia.
Gjithashtu, parashikohen sanksione të gjera ndaj bankave ruse, sektorit të energjisë dhe zyrtarëve të lartë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, dhe kredi për të ndihmuar financimin e ushtrisë së Ukraine.
Dhoma e Përfaqësuesve: NATO si shtyllë mbrojtëse
Ligjvënësit rikonfirmuan në mënyrë të qartë angazhimin ndaj NATO-s dhe veçanërisht ndaj Nenit 5 të traktatit të saj, i cili përcakton se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.
Në tekstin e projektligjit thuhet se angazhimi amerikan ndaj Nenit 5, forcon aftësinë parandaluese të NATO-s, si një “shtyllë mbrojtëse” kundër kundërshtarëve si Rusia, Kina dhe Irani.
Së fundmi, Shtëpia e Bardhë ka mbajtur një ton kritik ndaj NATO-s.
Trump ka kritikuar Gjermaninë dhe vende të tjera anëtare, për mungesën e përfshirjes në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, gjatë tensioneve me Iranin dhe ka paralajmëruar se kjo “nuk do të harrohet.”
