Kryeministri kroat: Mali i Zi ka përparuar në BE, por çështjet dypalëshe mbeten të hapura

Nga Xh M
863 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tivat, 5 qershor Zhurnal.mk – Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, deklaroi sot në Tivat se Mali i Zi ka bërë përparimin më të madh në procesin e integrimit evropian ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, por se ende ekzistojnë çështje të hapura dypalëshe që Zagrebi pret të zgjidhen.

Duke folur para mediave në kuadër të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, Plenkoviq theksoi se Kroacia ka pritshmëri të qarta lidhur me çështjet e hapura prej kohësh në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Mali i Zi ka avancuar më së shumti dhe ne kemi pritshmëri lidhur me çështjet e hapura. Këtu jemi të qartë”, tha Plenkoviq. Ai veçoi si prioritet çështjen e dëmshpërblimit të ish-të burgosurve të kampeve, duke theksuar se Kroacia dëshiron që kjo çështje të zgjidhet përmes një marrëveshjeje dypalëshe.

“Pritshmëria e parë është dëmshpërblimi i të burgosurve të kampeve. Këtu duam një marrëveshje dypalëshe”, tha ai. Plenkoviq tha se ndër çështjet e hapura janë edhe kërkesat pronësore-juridike të familjeve nga Kroacia, çështja e pllakës përkujtimore në Morinj, statusi i anijes shkollore “Jadran” si dhe çështja e kufirit ndërmjet dy shteteve.

“Dëshirojmë të zgjidhen çështjet pronësore-juridike të familjeve kroate këtu. Kemi theksuar qartë çështjen e pllakës në Morinj, çështjen e anijes ‘Jadran’ dhe çështjen e kufirit, ku jemi shumë të qartë”, tha ai.

Ai porositi se Kroacia pret vazhdimin e dialogut dhe përparim konkret në zgjidhjen e çështjeve të hapura.

“Ne presim që bisedimet të përparojnë”, tha Plenkoviq.

Samiti i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor po mbahet në Tivat dhe ka mbledhur liderët e vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të rajonit ndërsa fokusi i bisedimeve është integrimi evropian, reformat dhe marrëdhëniet në rajon.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër