Kasami promovon linjën falas të transportit për Malësinë e Tetovës

Nga R.ZH
1,074 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 6 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka qëndruar sot në fshatin Bozovcë të Malësisë së Tetovës, ku promovoi linjën e re të transportit publik falas që do të lidhë Tetovën me fshatrat Brodec dhe Bozovcë.

Sipas Kasamit, banorët e kësaj zone do të kenë mundësi ta shfrytëzojnë këtë linjë gjashtë herë në javë, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe përmirësimin e lidhjes së vendbanimeve malore me qytetin e Tetovës.

Ai bëri të ditur se transporti do të jetë plotësisht falas për qytetarët, ndërsa në fazën fillestare shërbimi do të realizohet me një minibus.

“Ky transport do të jetë falas për qytetarët. Fillimisht do të funksionojë me një minibus, ndërsa në të ardhmen, varësisht nga nevojat dhe kërkesat e banorëve, do të shqyrtohet mundësia për shtimin e kapaciteteve”, deklaroi Kasami.

Banorët e Malësisë së Tetovës prej vitesh kanë kërkuar përmirësimin e transportit publik drejt qytetit, ndërsa autoritetet komunale vlerësojnë se kjo linjë do të ndikojë në lehtësimin e lëvizjes së përditshme të qytetarëve dhe në përmirësimin e qasjes ndaj shërbimeve publike.

Linja Tetovë–Brodec–Bozovcë pritet të nisë funksionimin së shpejti, ndërsa Komuna e Tetovës paralajmëron se do të monitorojë nevojat e banorëve për të zgjeruar më tej shërbimin në të ardhmen.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër