Ahmeti nga Kuvendi Zgjedhor i Çairit: Uniteti kombëtar ruhet vetëm përmes bashkimit dhe angazhimit të përbashkët

Nga R.ZH
1,173 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë sot në Kuvendin Zgjedhor të Degës së Çairit, nga ku ka përcjellë mesazhe për unitet, bashkëpunim dhe forcim të organizimit partiak.

Përmes një njoftimi, Ahmeti theksoi se takimi në Çair rikonfirmoi forcën e organizimit të BDI-së dhe vlerat mbi të cilat, sipas tij, ndërtohet rrugëtimi politik i partisë.

“Besoj fuqishëm se marrëdhëniet ndërnjerëzore janë themeli i çdo suksesi. Respekti, solidariteti dhe bashkëpunimi mes nesh janë ato që na mbajnë të bashkuar dhe na bëjnë më të fortë përballë çdo sfide”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka vlerësuar veçanërisht kontributin e Komitetit të Veteranëve, duke theksuar se përvoja dhe sakrifica e tyre vazhdon të jetë frymëzim për brezat e rinj. Po ashtu, ka shprehur mirënjohje për nëndegët dhe këshillat vendorë, të cilët i cilësoi si zemra e organizimit partiak dhe ura më e fortë e komunikimit me qytetarët.

Në fjalën e tij, lideri i BDI-së ka nënvizuar se ruajtja e unitetit dhe forcimi i kauzës së përbashkët mund të arrihen vetëm përmes respektit të ndërsjellë dhe angazhimit kolektiv.

“I frymëzuar nga porositë e sotshme, mbetem i bindur se vetëm përmes unitetit, respektit të ndërsjellë dhe angazhimit të përbashkët mund ta forcojmë kauzën tonë dhe ta ruajmë vlerën më të madhe që kemi, unitetin kombëtar”, ka theksuar Ahmeti.

Ai e përmbylli mesazhin me thirrjen për vazhdimin e rrugëtimit të përbashkët politik, duke theksuar se BDI do të ecë përpara “më e bashkuar dhe më e vendosur se kurrë”. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër