Plani i Veprimit për Pakicat është gati dhe jozyrtarisht është harmonizuar me 26 vende anëtare, përveç një vend anëtar

Nga Xh M
1,079 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 6 qershor Zhurnal.mk – Plani i Veprimit për pakicat është gati, është harmonizuar me një ekspert të Komisionit Evropian dhe është përgatitur në mënyrën më gjithëpërfshirëse krahasuar me çdo shtet tjetër. Jozyrtarisht, ai është harmonizuar me 26 vende anëtare të BE-së, përveç njërit, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës në Institutin e Shëndetit Publik në Shkup.

I pyetur se deri ku ka arritur Qeveria me Planin e Veprimit për pakicat dhe çfarë kërkon konkretisht ai një shtet që nuk pajtohet, Mickoski tha se nuk mund të japë përgjigje të saktë.

“Plani i Veprimit për pakicat është gati, i harmonizuar me ekspertin që e morëm nga Komisioni Evropian. Bëhet fjalë për ekspert të të drejtave të njeriut. Janë mbajtur dy debate publike, siç nuk ka bërë asnjë shtet tjetër. Jozyrtarisht po them se dokumenti është harmonizuar me 26 vende anëtare, përveç njërit. I njëjti shtet është kundër që ne të bëhemi pjesë edhe e nismës ‘Tre Detet’. Kjo është situata”, deklaroi Mickoski.

Propozim-Plani i Veprimit për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve, i përgatitur në gjuhën maqedonase dhe angleze nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, në konsultim të ngushtë me Këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian, është dokument që përmban masa të përcaktuara qartë, afate dhe institucione përgjegjëse dhe është plotësisht në përputhje me standardet më të larta evropiane.

Megjithatë, në vend që të përshëndetet si një hap konstruktiv përpara, që nga janari i këtij viti dokumenti është bërë objekt i komenteve abstrakte dhe të pabazuara nga Bullgaria.

Mickoski kishte deklaruar që në janar se po ndodhte pikërisht ajo për të cilën kishte paralajmëruar partnerët në Bruksel – se edhe nëse Maqedonia e Veriut përgatit Planin më të mirë të mundshëm për pakicat, ai do të refuzohej nga Bullgaria.

“Më vjen keq që edhe një herë humbën mundësinë për të dëshmuar se janë fqinjë të mirë. Asnjë shtet anëtar nuk është kundër dhe asnjë pakicë në Maqedoni nuk është kundër, sepse u zhvillua debat publik. Problemi qenka se dokumenti është në gjuhën maqedonase”, tha Mickoski.

Në fund të muajit të kaluar, pas takimit me kryeministrin kroat, Andrej Plenković, në Shkup, Mickoski deklaroi se vendi është i gatshëm ta dorëzojë Planin e Veprimit për pakicat, i cili është përgatitur së bashku me Brukselin dhe ekspertët e rekomanduar nga Komisioni Evropian.

“Por nëse çështjet bilaterale janë ato që duhet të gjykojnë rrugën tonë evropiane, atëherë ne do të luftojmë në një mënyrë tjetër. Strategjia jonë është të përfundojmë reformat në vend, sepse ato na duhen neve. Gjithashtu jemi të gatshëm ta dorëzojmë Planin e Veprimit për pakicat, të cilin e përgatitëm së bashku me Brukselin dhe ekspertët e rekomanduar nga Komisioni Evropian. Ai është gati dhe presim sinjalin e gjelbër nga Brukseli që të kalojë në seancë qeveritare. Ne e realizojmë atë që premtojmë”, deklaroi Mickoski.

Ndërkohë, presidenti bullgar, Rumen Radev, në një deklaratë për mediat para Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, tha se ekzistojnë dy qasje të mundshme për përshpejtimin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por se Sofja mbështet një proces të bazuar në merita reale dhe reforma të zbatuara.

“Qëndrimi ynë është se nuk duhet të transferojmë problemet e trashëguara politike dhe historike në Bashkimin Evropian dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë me vendosmëri këtë pozicion”, tha Radev, duke theksuar se zgjerimi nënkupton reforma të thella në drejtësi, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër