Tiranë, 08 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot në lidhje me protestat që po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë kundër investimit në Zvërnec.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Berisha tha se “Partia Demokratike që në fillim ka deklaruar se dënon me forcën më të madhe dhunën dhe rrëmbimin e protestuesve paqësorë në Zvërnec, epitetet e përdorura nga Edi Rama ndaj tyre dhe rrethimin e fshatit me tela me gjemba, si në kohë pushtimesh”.
Së dyti, shkruan Berisha, “kjo protestë nuk është thirrur nga PD-ja, por ne e respektojmë atë dhe të drejtën e çdo qytetari për të protestuar”.
“Partia Demokratike nuk u ka kërkuar asnjëherë anëtarëve dhe mbështetësve të saj që të mos e mbështesin apo të mos shkojnë në protestë, pavarësisht disa thirrjeve të orkestruara nga “opozita e opozitës” si vegël e faktuar e qeverisë kundër nesh dhe për agjendën e vet politike”, shkruan ai.
Sipas Berishës, Partia Demokratike është “forca kryesore politike opozitare që këto vitet e fundit ka qëndruar fuqishëm dhe ka paguar çmimin më të lartë në përballjen me narkoregjimin”.
Kreu i PD-së nënvizon më tej se sa i përket mbështetjes së kërkesave të protestuesve “për anulimin e një sërë ligjesh të narkoqeverisë që lidhen me investimet strategjike, Korporatën e Investimeve, Partneritetet Publiko-Private (PPP), Paketën dhe Portën e Maleve, mjedisin dhe trashëgiminë kulturore, pa asnjë përjashtim, të gjitha ato janë kundërshtuar me forcën më të madhe nga PD-ja dhe grupi i saj parlamentar në komisionet dhe seancat parlamentare, e madje, në raste të caktuara, edhe në gjykatat e kontrolluara nga qeveria, ndaj dhe ajo i mbështet pa asnjë rezervë këto kërkesa”.
Sipas tij, Partia Demokratike ka vlerësuar dhe vlerëson shumë ndjeshmërinë dhe shpirtin e protestës së të rinjve, qytetarëve dhe shoqërisë civile për mbrojtjen e mjedisit si një arritje të madhe për kombin dhe Shqipërinë.
“PD është forca më e madhe politike që ka denoncuar dhe protestuar më shumë se kushdo tjetër kundër batërdisë nga qeveritarët dhe oligarkët e qeverisë në: Parkun Kombëtar të Butrintit; Parkun Kombëtar të Shebenikut; Parkun Kombëtar të Dajtit; Luginën e Drinit me Hidrocentralin e Skavicës; Ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe de facto asgjësimin e habitatit të shpendëve në Lagunën e Nartës; Shkatërrimin e shtratit të lumenjve Shkumbin, Mat, etj. Për të gjitha këto, ajo është krenare edhe për çmimin që ka paguar”, shkruan Berisha.
Së fundmi, Berisha sqaron se Partia Demokratike nuk është dhe nuk do të jetë kurrë kundër investimeve të huaja në Shqipëri.
“Ajo i ka mirëpritur dhe do t’i mirëpresë ato, me kushtin e vetëm dhe të panegociueshëm që të bëhen në përputhje të plotë me ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare”, shkruan Berisha.
Ai shton se në rastin e Zvërnecit shkaku më themelor i protestës qëndron tek mungesa totale e transparencës së qeverisë.
Berisha thekson se Partia Demokratike mbështet plotësisht pesë kërkesat e drejta të përfaqësuesve të Lëvizjes së fuqishme rinore e qytetare, teksa shton se kryeministri Edi Rama duhet të “japë menjëherë dorëheqjen, të plotësojë kërkesat e përfaqësuesve të lëvizjes së fuqishme rinore e qytetare dhe të krijohet një qeveri kujdestare për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri”.
