Chaplini vazhdon të frymëzojë, qindra admirues mblidhen në një paradë e pazakontë në nder të tij

Nga D V
694 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Më shumë se 400 persona të veshur si personazhi i famshëm “The Tramp” i Charlie Chaplin u mblodhën në Corsier-sur-Vevey, me synimin për të thyer rekordin botëror për tubimin më të madh të imituesve të Chaplinit.

Ngjarja u zhvillua në muzeun “Chaplin’s World”, i ngritur në ish-shtëpinë e legjendës së kinemasë. Aktiviteti u organizua për të shënuar 10-vjetorin e hapjes së muzeut dhe mblodhi 429 pjesëmarrës me kapele të zeza, mustaqe karakteristike dhe bastunë.

Megjithatë, numri i pjesëmarrësve nuk mjaftoi për të thyer rekordin e vendosur po aty në vitin 2017, kur morën pjesë 662 imitues të Chaplinit. Organizatorët thanë se kjo nuk e zbehu atmosferën festive të ngjarjes.

Nën diellin e fortë të verës, pjesëmarrësit formuan numrin gjigant “10” në lëndinën përballë vilës ku Chaplin jetoi 25 vitet e fundit të jetës së tij me bashkëshorten Oona O’Neill dhe tetë fëmijët e tyre.

Aktori francez Anthony Champeil, i cili interpreton shpesh Chaplinin në skenë, tha se ishte “njeriu më i lumtur në botë” që ndodhej në shtëpinë e Chaplinit mes qindra admiruesve të tij.

Sipas tij, mesazhi i Chaplinit ishte ruajtja e aftësisë për t’u mrekulluar dhe për të luajtur si fëmijë gjatë gjithë jetës.

Muzeu ndodhet në pronën historike Manoir de Ban, pranë Lozanën. Chaplin u vendos në Zvicër në vitet 1950 pasi iu ndalua rikthimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës  mes dyshimeve për simpati komuniste gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Pjesëmarrësit theksuan se filmat e tij, si “The Great Dictator,” “The Kid” dhe “Modern Times”, vazhdojnë të frymëzojnë me mesazhet e tyre për humanizmin, respektin dhe solidaritetin.

Organizatorët nuk përjashtuan mundësinë e një përpjekjeje të re për rekord në vitet e ardhshme, ndoshta gjatë 20-vjetorit të muzeut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër