Ministria e Ekonomisë investon 700 mijë euro për përmirësimin e furnizimit me ujë në Pejë

Nga D V
530 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 09 qershor, Zhurnal.mk – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Ministria e Ekonomisë do të financojë dy projekte të reja në sektorin e ujësjellësit në rajonin e Pejës, me një vlerë totale prej 700 mijë eurosh.

Sipas Rizvanollit, investimet do të realizohen përmes një marrëveshjeje me KRU Hidrodrini dhe pritet të përmirësojnë furnizimin me ujë të pijshëm për rreth 30 mijë banorë.

“700 mijë euro për furnizim më të mirë me ujë të pijshëm në Pejë”, ka shkruar Rizvanolli.

Ajo ka bërë të ditur se nga ky investim do të përfitojnë banorët e Pejës, Vitomiricës, Lugut të Leshanit, Lugut të Trestenikut dhe Qyshkut.

“30 mijë banorë të Pejës, Vitomiricës, Lugut të Leshanit, Lugut të Trestenikut dhe Qyshkut do të përfitojnë nga dy investime të reja që Ministria e Ekonomisë po i financon përmes marrëveshjes me KRU ‘Hidrodrini’”, ka deklaruar ajo.

Në kuadër të marrëveshjes, do të ndërtohet një rezervuar i ri me kapacitet prej 5 mijë metrash kub, ndërsa do të financohet edhe blerja dhe montimi i ujëmatësve dhe pusetave në zonën e shërbimit të ndërmarrjes.

“Me këtë marrëveshje do të financohet ndërtimi i një rezervuari të ri prej 5,000 m³, si dhe blerja e montimi i ujëmatësve dhe pusetave për zonën e shërbimit të ndërmarrjes”, ka bërë të ditur Rizvanolli.

Sipas saj, investimi synon përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët e zonave përfituese.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër