Prishtinë, 11 qershor, Zhurnal.mk – Refuzimi i gazit amerikan nga ana e qeverisë në detyrë, ka bërë që ish-kryeministri, Avdullah Hoti të dalë me thirrje për protesta demokratike.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka parashtruar tri pyetje, që sipas tij, janë thelbësore për secilin politikan dhe secilin qytetar.
“Pse Kurti e refuzon projektin e gazit amerikan, në situatën kur të gjitha vendet e rajonit po përfshihen në këtë projekt strategjik për të dalë nga sfera e ndikimit rus? 2.Pse Kurti nuk ka bërë absolutisht asgjë në gjashtë vite të qeverisjes së tij sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike? 3.Kujt i intereson që Kosova të vijojë të jetë e varur nga importi i energjisë?”, shtron pyetjet ai.
Sipas ish-deputetit, heshtja përballë një dëmi të tillë nuk është neutralitet, por, siç thotë ai, është bashkëfajësi”.
“Kauzë për të protestuar deri në largimin e qeverisë ka qenë gjithashtu edhe suspendimi i Kosovës nga stërvitja ushtarake “Defender Europe ‘23” në vitin 2023, si dhe pezullimi i dialogut strategjik Kosovë-SHBA në shtator 2025. Por kur i gjithë aktiviteti opozitar organizohet rreth kapjes së posteve shtetërore, e jo rreth kauzave dhe interesit shtetëror, atëherë rezultati i zgjedhjeve është ky që e pamë të dielën e kaluar – rezultat që në përpikëri reflekton politikën pa kauzë shtetërore, pa vizion dhe pa guxim”.
