Mickoski: Kërkesat nga Bullgaria janë të njëjtat që nga viti 2022

Nga I.A
910 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se nuk ka kërkesa të reja nga Bullgaria për zhbllokimin e integrimit të vendit në BE, duke nënvizuar se ato kërkesa datojnë që nga viti 2022. Ai shtoi se për tre vite është pritur që ato të dëgjohen nga e gjithë Evropa, bota dhe qytetarët, të cilët kanë qenë viktima të politikave manipulative të individëve, transmeton Zhurnal.

Mickoski mbeti optimist, duke theksuar se bisedimet e tij me kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe presidentin francez Emmanuel Macron dallojnë krejtësisht nga ato të zhvilluara në takimin e djeshëm mes presidentes Gordana Siljanovska-Davkova dhe homologes bullgare Ilijana Jotova në Sofje. Ai porositi se duhet të jemi optimistë, të punojmë dhe njëkohësisht të mbrojmë interesat kombëtare, duke kujtuar se në zgjedhjet parlamentare qytetarët do të vendosin mes atyre që e kanë shkatërruar Maqedoninë dhe konceptit të ri që ofron qeveria aktuale.

“Qytetarët duhet ta dinë se kërkesat nuk janë vetëm ndryshimi i Kushtetutës dhe përfshirja e komunitetit bullgar në preambulë. Jo. Ky është vetëm fillimi, hapja e kutisë së Pandorës. Pasojnë plani i veprimit, puna e komisionit historik, Protokolli 2, ku komisioni historik është vetëm një nga kërkesat. Aty ka ndoshta pesëmbëdhjetë kërkesa të reja që shteti duhet t’i përmbushë. Pra, nuk ka asgjë ndryshe nga ajo që e dëgjojmë vazhdimisht, nga ajo që, për fat të keq, qeveria e kaluar e pranoi në vitin 2022”, tha Mickoski.

Ai shtoi se për tre vite është pritur që këto kërkesa të bëhen të qarta për Evropën, botën dhe qytetarët. “Këto nuk janë kërkesa të reja, janë të njëjtat. Për ta, puna e komisionit historik është thelbësore. Ne nuk kemi të njëjtin këndvështrim për çështjet e identitetit. Për ne, Goce Dellçev është pjesë e identitetit maqedonas, për ta jo – për ta është pjesë e identitetit bullgar. Për ne, Kryengritja e Ilindenit është pjesë e identitetit maqedonas, për ta jo – për ta është Kryengritja e Preobrazenit. Këto janë çështje thelbësore, të pranishme që nga viti 2022. Nuk ka kërkesa të reja”, përfundoi Mickoski. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër