Spanjë, 11 qershor, Zhurnal.mk – Papa Leone XIV bëri thirrje për krijimin e rrugëve të sigurta dhe ligjore për migracionin gjatë një vizite në Ishujt Kanarie, duke theksuar se dinjiteti njerëzor e kërkon një gjë të tillë.
Gjatë fjalës së mbajtur sot në portin e Arguineguín në Gran Kanaria, kreu i rreth 1,4 miliardë katolikëve në mbarë botën, tha se nuk mjafton vetëm menaxhimi i mbërritjeve të migrantëve, publikimi i statistikave, forcimi i kufijve apo vajtimi për viktimat pasi tragjeditë kanë ndodhur.
Ishujt Kanarie kanë qenë prej vitesh, një nga pikat kryesore të mbërritjes së migrantëve nga Afrika drejt Evropës përmes Atlantikut.
Kulmi i krizës u arrit në vitin 2024, kur gati 50 000 persona mbërritën në mënyrë të parregullt në arkipelag brenda një viti.
Porti i Arguineguín, i njohur edhe si “Porti i Turpit”, u kthye në simbol të emergjencës humanitare, pasi në vitin 2020 strehoi përkohësisht deri në 3 000 migrantë, megjithëse ishte projektuar për vetëm 500 persona.
Gjatë vizitës, Papa Leone u takua me migrantë të sapoardhur, si edhe me përfaqësues të Kishës dhe organizatave humanitare, që ndihmojnë në pritjen dhe integrimin e tyre në shoqërinë spanjolle.
Papa Leone XIV e cilësoi krizën e refugjatëve si një provë ndërgjegjeje për Evropën, duke paralajmëruar se kontinenti nuk mund të mbrojë dinjitetin njerëzor, ndërsa mësohet me faktin që Mesdheu dhe Atlantiku po shndërrohen në “varre pa emër”.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndajë përgjegjësinë për përballimin e fenomenit dhe shprehu shpresën që zëri i migrantëve të dëgjohet nga autoritetet, qeveritë, parlamentet dhe organizatat ndërkombëtare.
“Çdo varkë që mbërrin sjell jo vetëm migrantë, por edhe një pyetje thelbësore për të gjithë ne: Çfarë lloj bote kemi ndërtuar, nëse kaq shumë vëllezër e motra duhet të rrezikojnë jetën për të gjetur një jetë më të mirë?”, tha Papa Leone.
