Refuzohet ankesa e LVV-së lidhur me përfshirjen e të miturve në aktivitete zgjedhore

Nga D. V.
886 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me shqiptimin e gjobës në shumën prej 6,000 euro, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet e Parakohshme, të mbajtura më 7 qershor 2026.

PZAP kishte pranuar si të bazuara ankesat e Organizatës Joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), të cilat kishin të bënin me pjesëmarrjen e fëmijëve në dy tubime zgjedhore të organizuara nga LVV më 3 qershor 2026 në Podujevë dhe Lipjan. Pas bashkimit të procedurave, PZAP kishte konstatuar se pjesëmarrja e të miturve në këto aktivitete përbënte shkelje të nenit 5 paragrafi 3 të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar.

Në ankesën e paraqitur në Gjykatën Supreme, LVV pretendon se dispozita e lartcekur nuk ndalon çdo prani të të miturve në aktivitete politike, por vetëm angazhimin e tyre aktiv nga subjekti politik, dhe se në rastin konkret nuk ishte provuar një angazhim i tillë.

Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjeve në ankesë dhe provave të administruara në lëndë, Gjykata Supreme gjeti se ankesa është e pabazuar.

Gjykata vlerësoi se PZAP ka zbatuar drejt dispozitat relevante të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 dhe se qëllimi i nenit 5 paragrafi 3 është mbrojtja e të miturve nga përfshirja në aktivitete politike dhe zgjedhore. Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, interpretimi i kësaj dispozite duhet të bëhet në përputhje me qëllimin e saj mbrojtës dhe me parimin e interesit më të mirë të fëmijës, të garantuar nga instrumentet vendore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Gjykata Supreme ka vlerësuar se përgjegjësia e subjektit politik nuk përjashtohet nga fakti nëse të miturit kanë qenë të shoqëruar nga prindërit e tyre apo nëse iniciativa për pjesëmarrje ka ardhur nga vetë ata.

Gjykata Supreme gjithashtu vlerësoi se PZAP, gjatë caktimit të gjobës, ka marrë parasysh natyrën dhe peshën e shkeljes, ndikimin e mundshëm në procesin zgjedhor, si dhe faktin se subjekti politik ishte i njoftuar me obligimet ligjore dhe ishte sanksionuar edhe më parë për shkelje të ngjashme.

Për këto arsye, Gjykata Supreme ka lënë në fuqi vendimin e PZAP-it dhe ka refuzuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje si të pabazuar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër